0.2 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Buy now

spot_img

Vuçiq: Serbia nuk i ka shitur armë Ukrainës dhe Rusisë

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, më 5 mars ka deklaruar se asnjë armë, pajisje apo municion serb nuk i është shitur Rusisë apo Ukrainës dhe se ata që pretendojnë të kundërtën janë “gënjeshtarë, sinjalizues dhe duhet të kenë turp, sepse po i sjellin dëme Serbisë”.

“Për Serbinë, në përputhje me ligjet ndërkombëtare, ekzistojnë të ashtuquajturit përdorues të lejuar dhe Serbia mund të eksportojë vetëm në vende të tilla. Ne kemi bërë gjithçka në përputhje me ligjin, jemi të pastër si loti”, tha Vuçiq në Doha, ku po merr pjesë në një konferencë të organizuar nga Kombet e Bashkuara.

Në fund të shkurtit, disa media ruse njoftuan se 3.500 raketa nga fabrika serbe “Krushik” iu dorëzuan forcave të armatosura të Ukrainës, përmes Turqisë dhe Sllovakisë, ndërkaq Ministria e Punëve të Jashtme të Rusisë njoftoi se ky informacion shkakton “shqetësim të thellë”.

Më herët, demanti ka ardhur nga “Krushik” dhe Ministria e Mbrojtjes e Serbisë.

Lidhur me pretendimin se armët janë eksportuar në Ukrainë nga Serbia, përmes Turqisë, Vuçiq tha se Serbia “e ka mbrojtur veten në mënyrë shtesë” duke ditur se ekziston mundësia që një pjesë e mallit të përfundojë diku tjetër.

“Ne theksuam se është e pamundur që pa pëlqimin tonë të eksportohen municionet që i kemi dhënë Turqisë”, tha Vuçiq, duke shtuar se Serbia “nuk e ka detyruar askënd të luftojë”.

Portali rus “Mash” njoftoi mbi dyshimet se 3.500 copë raketa “M-21 GRAD” 122 milimetra të Krushikut iu dorëzuan forcave të armatosura të Ukrainës.

Portali publikoi dokumente, autenticitetin e të cilave Radio Evropa e Lirë nuk ka mundur ta konfirmojë, të cilat pretendohet se tregojnë që kompania kanadeze “JNJ Export Import” ka porositur raketa nga “Krushik”.

Media ruse ka pohuan se arkat kanë fluturuar nga Serbia në Turqi, ku si ndërmjetës ka kryer transitin kompania turke “Arca Savunma Sanayi Ticaret”, përmes së cilës ngarkesa ka shkuar në Sllovaki, e më pas në Ukrainë.

Kompania “Krushik” nga Valeva, në perëndim të Serbisë, më 28 shkurt ka njoftuar se nuk ka pasur shitje të raketave në këtë treg dhe as nuk ka pasur kontrata për sasitë dhe shenjat e specifikuara.

Në deklaratë thuhet se “i gjithë ‘rasti’ mediatik bazohet në shfrytëzimin e informacioneve jo të plota dhe të pandërlidhura”, të cilat, siç thuhet, janë vendosur “në një kontekst negativ”.

Paraprakisht, më 27 shkurt, reagoi ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, i cili mohoi se Serbia eksporton armë në Ukrainë.

Kjo nuk është afera e parë, në të cilën Serbia akuzohet për shitjen e armëve në luftën ruse-ukrainase.

Më 16 korrik 2021, në veri të Greqisë u rrëzua një aeroplan ukrainas dhe u konstatua se po transportonte për në Bangladesh mina për stërvitje, të cilat kompania serbe “Valir” i bleu nga fabrika shtetërore “Krushik”.

Në mars të vitit 2022, në portalet dhe rrjetet sociale ruse u publikua një fotografia e një ushtari të të ashtuquajturës “Republika Popullore e Donjeckut”, i cili në duar po mbante një minë të pashpërthyer.

Në bazë të shenjave që ndodheshin në minë, Radio Evropa e Lirë konstatoi se është prodhuar në tremujorin e tretë të vitit 2016. Mina të tilla prodhohen nga fabrika shtetërore serbe e armëve “Krushik”./PrishtinaPress/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img