Site icon PrishtinaPress

Vuçiq për targat KM: Nuk do të hiqen, vetëm një stiker do të vendoset mbi emblemat tona

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha sot se marrëveshja e arritur në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë i lë në përdorim targat serbe, por, sipas tij, vetëm në veri të Kosovës.

Një pengesë tjetër është se marrëveshja mundëson përdorimin e targave serbe, por realisht do të jetë e mundur vetëm në veri të Kosovës, shkruan mediumi serb, B92 duke cituar Vuçiqin.

“Për serbët në pjesën tjetër të Kosovës, nuk është aq problematike sepse të gjithë tashmë kanë targa KS”, citohet të ketë thënë presidenti serb.

“Ne nuk mund të heqim dorë dhe të themi se ekziston një republikë e Kosovës me një stemë, ne i vendosim një afishe. Regjimi mbetet i njëjtë siç ishte deri më tani sa i përket Serbisë qendrore”, tha Vuçiq në një konferencë për media në Nish, pasi iu kërkua t’i specifikonte detajet e marrëveshjes.

Vuçiq tha se pala e Kosovës donte ta aplikonte vendosjen e targave të përkohshme për serbët.

“Donin t’i hiqnin targat KM ose targat e vendeve të tjera në jug të Ibrit, por që ato janë kryesisht targa KM, sepse numri i të tjerave është minimal”, tha Vuçiq, raportojnë mediat serbe.

“Tani ata nuk do t’i heqin ato targa dhe nuk do të lëshojnë targa RKS me shenjat e shtetësisë së Kosovës që njerëzit tanë do të duhej t’i mbanin, por ata do të vendosin një afishe mbi emblemat tona. Kjo është e vetmja gjë që po ndryshon”, tha Vuçiq.

Ndër tjerash, Vuçiq tha se “nuk mund të them të gjitha detajet se si u arrit marrëveshja”, kur gazetarët insistuan me pyetje.

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ishte ndër të parët që reagoi pas arritjes së kësaj marrëveshjeje. , Duke vënë theksin te targat ilegale KM, Molliqaj përmes një postimi në “Facebook” tha se pjesa veriore është duke u trajtuar ndryshe ngaa pjesa tjetër e vendit, ndërsa kërkoi që të publikohet e gjithë marrëveshja e arritur.

“Targat ilegale KM po pranohen! Publikojeni marrëveshjen! Janë dërguar njerëzit në veri. Për çfarë?! Për ta pranuar Qeveria pastaj se pjesa veriore trajtohet ndryshe nga pjesa tjetër e vendit. Ky është instrumentalizim i tmerrshëm, dhe avanturë e rrezikshme. Tash, logjika është ajo e ndarjes etnike e territoriale; rruga është trajtim i segmentuar – marrëveshje pas marrëveshjes; rezultati përfundimtar është Asociacioni me kompetenca ekzekutive. Kësaj Qeverie nuk i bëhet vonë ta dëmtojë Kosovën, halli është si të fshehet para publikut. Asgjë ndryshe nuk kemi pritur, por jo kaq shpejt”, ka shkruar Molliqaj.

Marrëveshja u kritikua edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila në reagim thekson po ashtu edhe targat ilegale.

“LDK-ja po ashtu kundërshton fuqishëm, legjitimitetin e tabelave të qyteteve të Kosovës të lëshuara në Serbi. Vazhdimi i përdorimit të tyre është po ashtu prapakthim. Asnjë tiketë ngjitëse, asnjë masë tjetër, nuk mbulon gabimin e rëndë që Qeveria e Kosovës ka bërë sot”, thuhet në komunikatë.

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, duke e kritikuar po ashtu këtë marrëveshje, tha se ajo “i barazon forcat e sundimit të ligjit në Kosovë me huliganët që vendosin barrikada”.

Por për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, reciprociteti i targave është vendosur dhe se tash “Serbia nis e mësohet me reciprocitet”.

“Reciprociteti i targave të automjeteve është vendosur. Meqë targave të Republikës së Kosovës në Serbi do t’iu mbulohet simboli shtetëror, të gjitha targave të Serbisë pa dallim do t’iu mbulohet po ashtu simboli i tyre në territorin e shtetit tonë. Njësia Speciale e Policisë së Kosovës ka shkuar në Jarinje dhe Bërnjak më 20 shtator për të mbrojtur vendkalimet dhe policinë kufitare nga bllokuesit e rrugëve dhe qarkullimit të lirë. Në javën e shkuar, Presidenti i Serbisë vuri katër kushte për takimin në Bruksel të përfaqësuesve tanë. Natyrisht që nuk ju plotësuan ato dhe dje u zhvilluan bisedimet në Bruksel. Tash fillon epoka kur Serbia nis e mësohet me reciprocitet”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Exit mobile version