Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka deklaruar se në takimin me emisarët ndërkombëtarë, Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak, ka kërkuar formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, në Kosovë.
“Që nga dita e parë, Serbia ka qenë një partner konstruktiv, konsistent dhe i besueshëm në të gjitha proceset që do të çonin në ruajtjen e stabilitetit të të gjithë rajonit. Unë thashë se është koha që Prishtina përfundimisht t’i përmbushë obligimet e saj, e mbi të gjitha formimin e Asociacionit të Komunave Serbe në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit. Dua të besoj se pjesa e bashkësisë ndërkombëtare që ka ndikimin më të madh në Prishtinë ka edhe mekanizma që mund të çojnë në realizimin përfundimtar të obligimeve që Prishtina i ka pranuar dhe nënshkruar më shumë se një dekadë më parë”, ka shkruar ai.
Emisarët Escobar dhe Lajçak, ishin për vizitë edhe në Kosovë, në tentim për ta deeskaluar situatën në veri të vendit.
Gabriel Escobar në një takim me gazetarë ka bërë të ditur se për tensionet në veri, palët kanë dy ditë afat për t’u marrë vesh. Të premten ai do ju raportoj eprorëve. Në rast se Kosova nuk tregohet konstruktive, ai ka paralajmëruar pasoja.