Site icon PrishtinaPress

Vuçiq me obligime, Borell me koronavirus, kur do të ndodhë takimi i Brukselit?

Takimi i ardhshëm mes Kurtit dhe Vuçiqit, i pari pas Marrëveshjes së Ohrit, është dashur të mbahet më 22 prill. Por, termini u anulua dhe nuk u caktua akoma një i ri.

Megjithatë, Besnik Bislimi thotë se takimi do të ndodhë në prill. Nga BE-ja thonë se “s’kanë konfirmuar akoma asgjë”.

Pas takimi të fundit në Ohër, Kryeministri Albin Kurti dhe Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, i kanë dërguar vartësit e tyre në Bruksel për të diskutuar rreth çështjeve teknike rreth marrëveshjes së dakorduar për normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Është paralajmëruar që së shpejti do të ketë një takim tjetër të nivelit të lartë, mes Kurtit dhe Vuçiqit, por deri tani nuk dihet asgjë saktë.

“Nuk mund të konfirmojmë akoma asgjë”, ka thënë sot, Nabila Massrali, zëdhënëse e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, kryenegociues i Kosovës në dialogun teknik me Serbinë, i cili u takua së fundi me zyrtarin serb, Petar Petkoviq, ka thënë se takimi i nivelit më të lartë mes dy shteteve do të mbahet gjatë prillit.

Bislimi ka treguar se ishte planifikuar që një takim mes Kurtit dhe Vuciqit të mbahet me 22 prill, por është shtyrë, pasi Presidenti serb ka pasur “obligime të tjera”.

“Data e propozuar ka qenë 22 prilli, e shtunë. Ne kemi preferuar datën 24 prill, por me gjasë, data 24 prill ka qenë e pamundur për z. Borrell. Pastaj jemi dakorduar më 22 prill, por, pas dakordimit tonë, ka ardhur një kërkesë nga Serbia që kjo datë të zhvendost për shkak të obligimeve të tjera të z. Vuçiq. Kështu që, kemi mbetur që ta dakordojmë datën, ditëve në vijim“, ka thënë Bislimi.

Ndryshe, sot, Josep Borrell, Shef i Politikës së Jashtme të BE-së, që zakonisht ndërmjetëson takimet mes Kurtit dhe Vuçiqit, njoftoi se është infektuar me koronavirus dhe i ka shtyrë aktivitetet e tij.

Kurdo që takimi mes dy liderëve të mbahet, aty pritet të diskutohet për draftin e Statutit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Zv.kryeministri Bislimi, pas takimit të 4 prillit, ka thënë se Ekipi Menaxhues, që drejtohet nga deputetja e Kuvendit të Serbisë, Danijela Vujiçiq, do të hartojë draft-Statutin e Asociacionit dhe i njëjti do të prezantohet në takimin e ardhshëm mes Kurtit dhe Vuçiqit.

“Propozimi ka qenë që të prezantohet [draft-Statuti i Asociacionit] më 22 prill. Meqë Serbia ka thënë se Vuciqi nuk mund të vijë, kemi mbetur të dakordohemi për një datë alternative, por do të jetë në prill”, tha Bislimi më 5 prill në “Kallxo Përnime”.

Pas takimit të 4 prillit, Bislimi tha se në Bruksel janë pajtuar për pesë kriterët, sipas së cilave duhet të jetë Asociacioni. Ato, sipas Zv.kryeministrit, “janë pesë siguresa të mjaftueshme që tregon se ky mekanizëm apo ky lloj vetëmenaxhimi nuk ka asgjë nga ajo që ne e kemi quajtur Zajednica“.

Megjithatë, Petkoviq, tha se “kjo është një gënjeshtër e pastër e Bislimit” dhe se në Bruksel nuk u përmendën “pesë kriteret për Asociacionit”. Zyrtari serb tha se në takim është folur për statutin e Aociacionit dhe Ekipin Menaxhues.

“Pas kaq vitesh sot diskutuam për herë të parë hapat më konkretë për formimin e Asociacionit në kuadër të takimit tripalësh. Më saktësisht, çfarë duhet të bëjë ekipi menaxhues e në përputhje me marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015, është e qartë se hapi i parë është prezantimi i statutit”, ka thënë Petkoviq më 4 prill.

Kurti dhe Vuçiq janë takuar për herë të fundit më 18 mars në Ohër, ku u bë një dakordim për Planin e Zbatimit të Marrëveshjes Bazë, e cila është arritur më 27 shkurt, në Bruksel./PrishtinaPress/

Exit mobile version