Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq i është ankuar homologut të tij francez, Emanuel Macron, për siç thotë ai referimin se ‘të dyja palët kanë bërë hapa’ drejt zbatimit të marrëveshjeve të Ohrit dhe të Brukselit.
Ai i ka reaguar Macronit, duke e akuzuar se Kosova nuk ka bërë asgjë për të përmbushur asnjë pikë të marrëveshjeve, përfshirë këtu, atë të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Ju thatë se të dyja palët kanë bërë diçka. Jo të dyja – njëra palë nuk ka bërë asgjë. Nuk ka përmbushur asnjë pikë të Marrëveshjes së Ohrit apo njërën apo tjetrën marrëveshje të Brukselit, por ka mbajtur zgjedhje në të cilat kanë dalë 3.4 për qind e votuesve”, tha Vuçiq.
Madje ai pati edhe akuza të tjera ndaj autoriteteve prishtinase.
”Bëjnë shpronësime, sjellin ushtarë dhe policë në veri edhe pse nuk kanë të drejtë, ende nuk ka hetime ndaj atyre që qëlluan fëmijët serbë vetëm pse kishin veshur pemën e Krishtlindjes, e as për të gjitha plagët e tjera, ndërsa të gjithë flasin vetëm për Banjskën”, tha ai.
Derisa sipas Vuçiqit çështja e dinarit është me rëndësi jetike për mbijetesën e serbëve në Kosovë.
”Serbia i ka përmbushur tri gjëra nga Marrëveshja e Ohrit, edhe pse nuk ka qenë e nevojshme të bëjë asnjërën, sepse marrëveshja ka qenë që së pari duhet të formohet Asociacioni i Komunave Serbe, i cili nuk ka lëvizur nga ngërçi. Dhe Serbia lejoi gjithçka, letërnjoftime, targa, vula doganore”.