Site icon PrishtinaPress

Vuçiq flet para takimit në Bruksel: Do të jenë bisedime të vështira

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka folur për takimin e sotëm në Bruksel, kur pritet të takojë liderët evropianë, Charles Michel, Josep Borrell, Miroslav Lajçak dhe presidentin francez, Emmanuel Macron, kancelarin gjerman, Olaf Scholz dhe kryeministren italiane, Giorgia Meloni, raporton Gazeta Sinjali.

Në një intervistë për RTS, Vuçiq është shprehur se nuk do të jenë bisedime të lehta.

“Nga ana jonë do të jem vetëm, shpresoj në një atmosferë të mirë, por nuk do të jetë e lehtë, këtu ka qenë një delegacion i madh, kanë bërë propozimin e tyre, nuk mund të flas për këtë, por sigurisht që jemi të hapur. Flasin dhe po trokasin në derë të hapur”, ka thënë ai.

Më tej, Vuçiq ka pohuar se Serbia ka qenë konstruktive në procesin e dialogut.

“Mos dyshoni se këto do të jenë bisedime të vështira, por puna jonë është të mbrojmë të gjithë qytetarët tanë, por edhe të punojmë për të mirën e gjithë Serbisë”, ka thënë ai.

Sot në Bruksel, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe Vuçiq, pritet të mbajnë takime ndarëse me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, dhe shefin e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell.

Kosovës do t’i kërkohet ta pranojë draftin e statutit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ndërsa Serbisë ta zbatojë pa asnjë kusht marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe aneksin e saj të arritur në fund të këtij viti në Ohër.

Në BE thonë se asnjë ide apo plan që paraqitet nuk e ka për qëllim ta zëvendësojë aneksin për zbatim të arritur në Ohër dhe se ai mbetet në fuqi dhe se zbatimi i të gjitha pikave mbetet obligim.

Takimet duhet të përfundojnë deri para orës 15:00 të enjten, kur edhe nis takimi i shefave të shteteve të BE-së.

Në samit do të diskutohet edhe për situatën në veri të Kosovës dhe për raportin mes Kosovës dhe Serbisë.

“Mund të njoftoj, në emër të përfaqësuesit të lartë Borrell, se ai do t’i njoftojë liderët për raportet mes Kosovës dhe Serbisë, siç ka bërë edhe në takimet e mëparshme”, tha Stano.

Më 24 tetor, Stano theksoi se blloku evropian ka bërë “propozim modern evropian” për draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Asociacioni është ndër pikat më të nxehta në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Në Beograd insistojnë në kompetenca të gjera për këtë asociacion, ndërsa në Prishtinë thonë se të tillat do ta rrezikonin funksionalitetin e shtetit.

Për themelimin e tij, palët kanë arritur marrëveshje qysh në vitin 2013, ndërsa më 2015 janë pajtuar edhe për parimet e tij.

Po atë vit, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se këto parime janë në kundërshtim me Kushtetutën e vendit dhe ka kërkuar që ato të harmonizohen përmes akteve nënligjore.

Kosova dhe Serbia janë pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për normalizim të raporteve, prej vitit 2011.

Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.

Exit mobile version