Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq nga Kina ka folur për serbët e Kosovës duke thënë se e mbështet çdo vendim të tyre. Ai aty është pyetur edhe rreth shkrimeve të mediave serbe se është duke i maltretuar serbët e Kosovës me qasjen e tij.
“Unë do të mbështes çdo vendim të serbëve të Kosovës, duhet të jeni me popullin tuaj kur është e vështirë, nuk po e detyroj askënd, por mendoj se rrethanat kanë ndryshuar dhe duhet të mendojnë për zgjedhjet”, ka thënë kreu i shtetit serb Aleksandar Vuçiq.
“Nuk po i shtyj serbët në zgjedhje, s’po e detyroj askënd, as që mund ta bëj, nuk jam pronar i jetëve të tyre e as i të ardhmes së tyre” ka thënë ai.
Vuçiq ka vazhduar të shfaqet ‘konstruktiv” duke thënë se është e rëndësishme që “Beogradi dhe Prishtina të bisedojnë dhe të zhvillojnë një dialog” duke e akuzuar kryeministrin Kurti se nuk do dialog.