Një biznesmen i njohur grek u ekzekutua me breshëri plumbash mbrëmjen e kësaj të mërkure. Christos Gialia u qëllua me breshëri kallashnikovi kur po lëvizte me makinën e tij në Mandra.
Më pas autorët i vunë zjarrin makinë së viktimës me qëllim që të zhduknin çdo gjurmë që mund t’i zbulonte. Vrasja ka ndodhur në një distancë më pak se 200 metra nga shtëpia e biznesmenit.
Mediat greke shkruajnë se besohet se autorët kishin ndjekur lëvizjet e tij. Policia ka nisur kërkimin për gjetjen e autorëve që u larguan me motor. Nga hetimet mësohet se pranë mjetit të djegur u gjetën gëzhoja, ndërsa brenda mjetit u gjet një kallashnikov, i cili mendohet të jetë arma e vrasjes që autorët e kanë hedhur pas ekzekutimit.
Pak metra më tutje është pikasur një tjetër makinë e djegur, me gjasë e autorëve. Viktima ishte pronar i kompanive të tregtimit të mishit me qindra punonjës. Ai ishte pronar dhe agjent i tre skuadrave të futbollit, përkatësisht AO Trikala, Paneleussiniakou dhe Mandraikos.
Në vitin 2018 edhe ish-bashkëshortja e tij u vra në shkallët e shtëpisë së saj në Mandra. Edhe pse ishte rimartuar biznesmeni mbante marrëdhënie të mira me ish-bashkëshorten. Sipas policisë, motivi i vrasjes së gruas ka qenë grabitja pasi autorët besonin se ajo kishte para. Ata i ngritën pritë asaj jashtë shtëpisë kur po kthehej nga kazinoja. Megjithatë, në çantën e saj kishte vetëm një orë.