Detaje të reja janë zbuluar në lidhje me masakrën e ndodhur afër mesnatës në qytetin e Memaliaj, ku në një atentat me armë zjarri u vranë tre persona.
Viktimat janështetasit Shyqo Kalemi, 74 vjeç, Marsel Çela , 47 vjeç dhe Gledian Muka 36 vjeç si dhe ka mbetur i plagosur shtetasi Adriatik Kalemi 57 vjeç, i cili është transportuar për në spital, për të marrë ndihmë mjekësore.
Shyqo Kalemi është babai i Adriatik Kalemit, të afërm të Aleksandër Sadikaj, i cili mbeti i vrarë në atentatin e ndodhur me tritol te rrethrrotullimi i Saukut në vitin 2022.
Dyshohet se pas ekzekutimit të Aleksandër Sadikaj, Adriatik Kalemi, mund të ketë pasur gisht në organizmin e vrasjes së biznesmenit nga Saranda, Edmond Papa në shenjë hakmarrje për të afërmin.
Pas vrasjes së biznesmenit, në një hark kohor prej disa muajsh, Adriatik Kalemit i janë bërë dy atentate në Greqi për ta eliminuar fizikisht.
Atentatit i ka shpëtuar dhe vëllai i Adriatikut, Zamir Kalemi, ndaj automjetit të të cilit u qëllua me breshëri plumbash në afërsi të mbikalimit të Selitës në Tiranë. /EuronewsAlbania/