0.3 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Buy now

spot_img

Vrau taksistin dhe ia dogji trupin në Prekaz të Skenderajt, dënohet me 25 vjet burgim

Gjykata Themelore në Mitrovicë, të enjten, e ka dënuar me 25 vjet burgim të akuzuarin për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje, Halil Fejza.

Ndërsa me tri vjet burgim, gjykata e ka dënuar të akuzuarin për dhënien e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale si dhe armëmbajtje pa leje, Korab Imeri.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi Tomisllav Petroviq, Fejza u dënua me 24 vjet burgim për vrasje të rëndë dhe 1 vit e 6 muaj burgim për armëmbajtje pa leje.

Ndaj tij u shqiptua dënimi unik në kohëzgjatje prej 25 vjet burgim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Të pandehurit Fejza do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim prej 11 prillit 2019, e cila masë i është vazhduar deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.

Kurse, i akuzuari Imeri u dënua me 2 vite burgim për dhënie të ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprës penale dhe 1 vit e 6 muaj burgim për armëmbajtje pa leje.

Ndaj tij u shqiptua dënimi unik në kohëzgjatje prej 3 vite burgim, ku do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në arrest shtëpiak.

Po ashtu, të pandehurve u janë konfiskuar armët dhe atë pushka automatike e llojit ”TYPE – 56”, si dhe pushka automatike e llojit “ASH –78”.

Krahas kësaj, ata janë ngarkuar edhe me shpenzimet procedurale në shumën prej 700 euro, ku i pandehuri Fejza është i obliguar të paguajë shumën prej 500 euro, ndërsa i pandehuri Imeri shumën prej 200 euro.

Të pandehurit janë obliguar secili veç e veç që të paguajnë edhe nga 50 euro në emër të paushallit gjyqësor, si dhe nga 50 euro në emër të fondit për kompensimin e viktimave.

Gjykatësi Petroviq gjithashtu i ka njoftuar palët lidhur me të drejtën e tyre për ankesë kundër këtij vendimi, brenda afatit ligjor, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokuroria  Themelore në Mitrovicë, me 7 nëntor 2019, kishte përpiluar aktakuzën ndaj Halil Fejzës dhe Korab Imerit.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Halil Fejza, me 8 prill 2019, rreth orës 16:30 minuta, në fshatin Prekaz i Epërm, Komuna e Skenderajt, afër varrezave në lagjen “Nezaj”, me qëllim të fitimit të dobisë pasurore, ka privuar nga jeta tani të ndjerin Ilir Zeqiri.

Siç thuhet në aktakuzë,  i pandehuri Fejza i kishte viktimës borxh shumën prej 9,000 euro dhe ditën kritike e kishte thirrur viktimën në telefon përmes messengerit, që ta dërgoj me automjet deri në fshatin Prekaz për nevojat e tij personale, pasi i njëjti punonte taksist.

Në aktin akuzues thuhet se, të lartpërmendurit ishin takuar te xhamia në Skenderaj dhe kishin vazhduar rrugën për në fshatin Prekaz, ku me të mbërritur te lagjja “Nezaj”, në një rrugicë ku më parë e kishte fshehur pushkën automatike “TYPE- 56”, kalibrit 7.62x 39mm, kishte kërkuar nga viktima që t’ia ndal automjetin kinse për ta kryer nevojën fiziologjike, kishte dal nga automjeti, kishte marr pushkën automatike dhe kishte shtënë në viktimën duke e goditur në kokë dhe duke ia dëmtuar kockat e kafkës, nofullën e poshtme, kockat e zverkut, kockën e majtë tembelore dhe pjesët e kockës se ballit, si pasojë e të cilave edhe kishte vdekur.

Më këtë, Fejza akuzohet se ka kryer veprën penale “vrasje e rëndë”, nga neni 179, paragrafi 1.6 të KPRK-së.

Sipas dizpozitivit tjetër të aktakuzës, i akuzuari Fejza, deri me 8 prill 2019, në shtëpinë e tij në fshatin Vajnik, Komuna e Skenderajt, në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm mbi armët, ka poseduar pushkën automatike “TYPE- 56”, e kalibrit 7.62 x 39mm, version i pushkës automatike “AK- 47”, prodhuar në Kinë, e cila i është gjetur dhe konfiskuar nga ana e policisë.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armeve”, nga neni 374, paragrafi 1 të KPRK-së.

Tutje, Korab Imeri akuzohet se, me 8 prill 2019, e ka ndihmuar të pandehurin Halil Fejza në shmangien e zbulimit pas kryerjes se vrasjes se viktimës Ilir Zeqiri, në atë mënyrë që me automjetin e markës “BMW”, model X5, pronë e të pandehurit Fejza, sipas marrëveshjes, të njëjtin e ka pritur në kodër te varrezat në lagjen “Nezaj”, e me të përfunduar vrasjen, me automjet e ka larguar nga vendi i ngjarjes deri te pompa e benzinës “Alfa Trade” në Skenderaj, ku edhe ia ka dhënë automjetin të pandehurit Fejza për ta drejtuar.

Më këtë, Imeri akuzohet se ka kryer veprën penale “dhënia e ndihmës kryerëseve pas kryerjes së veprave penale”, nga neni 388, paragrafi 2, pika 2.1 të KPRK-së.

Tutje sipas dispozitivit të aktakuzës, Imeri, deri 8 prill 2019, në shtëpinë e tij në fshatin Vajnik, Komuna e Skenderajt, në shkelje me ligjin e zbatueshëm mbi armët, ka poseduar pushkën automatike “ASH- 78 tip- 1”, kalibrit 7.62 x 36 mm, version i pushkës automatike të llojit “AK- 47”, e prodhuar në Shqipëri, e cila i është gjetur dhe konfiskuar nga ana e policisë.

Më këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armeve”, nga neni 374, paragrafi 1 të KPRK-së.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img