Një person i mitur është dërguar me urgjencë dje në Emergjencën e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës si pasojë e plagëve të marra gjatë një përleshjeje ku u përdorën edhe mjete të forta e të mprehta.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës kanë bërë me dije se 16-vjeçari është dërguar atje me plagë të shkaktuara nga thika në shpinë, teksa ka pasur lëndime të rënda edhe në kokë.
Pas intervenimit të mjekëve, gjendja e tij shëndetësore është stabilizuar dhe ai tashmë ndodhet jashtë rrezikut për jetë.
Ndërkohë lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë intervistuar viktimën.
Sinjali mëson se ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00 në rrugën ‘Afrim Loxha’ në Prishtinë, ku pas një konflikti që kishte me dy persona të cilët viktima nuk ka arritur që t’i identifikojë, ata dyshohet se e kanë sulmuar fizikisht të miturin me thikë dhe gurë.
Njësitë policore kanë ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit dhe çojnë në identifikimin e të dyshuarve.
Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar ‘Vrasje në tentativë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen të dyshuarit./Prishtinapress/