Të mërkurën, një vrasje ka ndodhur në qytetin Thannhausen në Gjermani. Një 54-vjeçar dyshohet se ka vrarë bashkëshorten e tij. Mësohet se çifti janë nga qyteti i Rahovecit por jetonin në Gjermani.
Mediat gjermane kanë raportuar se në qytetin Thannhausen të Gjermanisë, paraditen e të mërkurës, një i dyshuar 54-vjeçar ka vrarë bashkëshorten e tij 55-vjeçare.
Gazeta Online Reporteri.net, ka mësuar se çifti janë nga qyteti i Rahovecit. Inicialet e emrit të të dyshuarit janë B.N, ndërsa të viktimës L.N.
Sipas mediave në Gjermani të cilat citojnë autoritetet policore atje, pas vrasjes së bashkëshortes, dorasi kishte thirrur në telefon djalin e tij dhe i kishte thënë se ‘ta vrava nënën’. Më pas djali kishte njoftuar policinë, e cila menjëherë bashkë me ekipet tjera emergjente kishte shkuar në vendngjarje.
54-vjeçari thuhet të jetë arrestuar pa i rezistuar forcave të policisë. Ndërsa shërbimet e urgjencës e gjetën 55-vjeçaren pa shenja jete në dhomën e ndenjjes. Sipas policisë gjermane, ekziston dyshimi se burri vrau gruan e tij pak para telefonatës. Sipas të dhënave paraprake, viktima ishte mbytur (ngulfatur).
Policia gjermane nuk ka dhënë detaje rreth motiveve apo rrethanave të tjera të krimit.