-0.3 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Buy now

spot_img

“Vrasje e keqtrajtime”, çka dëgjuan Thaçi e të tjerët nga Prokuroria në ditën e parë të gjykimit

“Vrasje e keqtrajtime”, çka dëgjuan Thaçi e të tjerët nga Prokuroria në ditën e parë të gjykimit

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi i dëgjuan akuzat e përzgjedhura nga Prokuroria në ditën e parë të gjykimit në Hagë. Prokurorët njëri pas tjetrit u munduan ta dëshmonin për strukturën organizative dhe hierarkinë në UÇK, duke i bërë përgjegjës katër ish-udhëheqësit e luftës për vrasjen e mbi 100 personave e keqtrajtimin e anëtarëve të LDK-së dhe atyre që u tha se konsideroheshin si tradhtarë.

Në Gjykatën Speciale në Hagë sot nisi procesi gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit. Ish-krerët e UÇK-së u përshkruan si krijues të një “ndërmarrje të përbashkët kriminale” nga Zyra e Pokurorit të Specializuar. ZPS i bëri përgjegjës ata, ndër tjerash, për vrasjen e 102 personave që u tha se konsideroheshin tradhtarë.

Organi i akuzës në Hagë e pati fjalën i pari në nisje të gjykimit. Prokuroria kishte pesë orë për ta paraqitur deklaratën hyrëse në gjykim. Një pjesë të konsiderueshme të kësaj kohe, prokurorët e shpenzuan në përpjekje për të dëshmuar për strukturën udhëheqëse të UÇK-së.

Ushtruesi i detyrës së Prokurorit të Specializuar, Alex Whiting, i cili e mori këtë detyrë pas dorëheqjes së Jack Smith, foli i pari, duke thënë se nuk po gjykohet UÇK-ja.

“Kjo çështje gjyqësore nuk kërkon të procedojë UÇK-në. Nuk i akuzon të gjithë anëtarët e saj. Nëse dikush e thotë këtë, e ka gabim, është e rreme. Thjesht nuk është e vërtetë”, tha ai.

“Akuzat ngrihen kundër katër personave, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, se kanë kryer krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në vitin ’98 dhe ’99”,shtoi prokurori.

Thaçi, shënjestra kryesore

Ish-presidenti Hashim Thaçi u shënjestrua që në fillim. Prokurori Whiting e akuzoi atë se e kishte mohuar rolin e tij dhe të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

“Gjatë hetimit të kësaj çështjeje, Hashim Thaçi erdhi disa herë fshehurazi në Hagë për t’ju dhënë prokurorëve intervistë të zgjatur dhe të video-incizuar. Gjatë këtyre intervistave, mes një sërë pranimesh të rëndësishme, ai mohoi shumëçka lidhur me rolin e tij gjatë luftës dhe lidhur me rolin e Shtabit të Përgjithshëm. Për shembull, z. Thaçi pretendoi se Shtabi i Përgjithshëm nuk kishte asnjë funksion deri në nëntor të ’98-ës dhe edhe pas kësaj date, ekzistonte vetëm në letër”, tha prokurori.

Provat që Whiting tha se do të paraqiten gjatë procesit gjyqësor, sipas tij, “do të tregojnë se këto pretendime ishin të rreme”. Sipas tij, ato bien ndesh me deklaratat tjera të Thaçit dhe me deklaratat e të akuzuarve tjerë.

“Ndërkohë që do të dëgjoni provat e paraqitura gjatë këtij gjykimi, të nderuar gjykatës, ju sugjeroj t’ia bëni vetes këtë pyetje: përse z. Thaçi erdhi këtu në Hagë dhe i bëri këto pretendime të rreme sa i takon rolit të tij gjatë luftës dhe lidhur me UÇK-në. Nga çfarë donte të largohej? Çfarë po përpiqej të fshihte. Në fund, gjykimi që po fillon sot, do t’u japë përgjigje këtyre pyetjeve”, tha prokurori i Speciales.

Sipas prokurorit, “qëllimi kriminal i përbashkët për të vënë në shënjestër kundërshtarët nuk ishte aspak i fshehtë”.

Përpjekja për të dëshmuar se UÇK-ja kishte hierarki dhe fuqi organizative

Prokurori tjetër, Mattheë Halling foli gjatë dhe detyra e tij, siç dukej, ishte të fliste për strukturën dhe kompetencat brenda UÇK-së. Në fillim, ushtruesi i detyrës së Prokurorit të Specilizuar, Alex Whiting, paralajmëroi se do të fokusohen në përpjekjen për të dëshmuar se UÇK-ja, siç tha ai, kishte hierarki.

Halling tha se pyetja që shtrohet përpara trupit gjykues është nëse të akuzuarit mbanin poste brenda UÇK-së që u lejojnë atyre, siç tha ai, “të kryenin krime që i përmban aktakuza”.

Pyetjes iu përgjigj vetë, duke thënë se “provat do të tregojnë se ata kishin poste të tilla”.

“Me kalimin e kohës dhe me zhvillimin organizativ, secili nga katër të akuzuarit kishin kompetenca, autoritet dhe ndikim që ua bënë atyre të mundur që të zbatonin dhe të vinin në jetë qëllimin të përbashkët të ushtronin kontroll efektiv. Në këtë gjykim do të jetë e rëndësishme të bëhet dallimi midis asaj që aspironte të bënte UÇK-ja dhe asaj që bëri faktikisht”, tha ai.

“Në mënyrë që të mbijetonte UÇK-ja duhet të kishte një strukturë të organizuar, UÇK-ja buroi nga LPK e cila besonte se liria mund të fitohej vetëm përmes forcës, ndërkohë ishte në kundërshtim me qasjen e LDK-së dhe kryetarin e saj Ibrahim Rugova, e cila mbështeste rezistencën e politikës jo të dhunshme ndaj shtetit serb”, theksoi prokurori.

Për të dëshmuar këtë, ai e përdori një pjesë nga intervistimi i Rexhep Selimit para prokurorëve. Aty Selimi kishte folur se kush i shkruante komunikatat e UÇK-së dhe se kush ishte për mesazhin që dilte nga Shtabi i Përgjithshëm.

Me organograme e letra, Specialja po përpiqet të dëshmojë se UÇK-ja kishte hierarki dhe fuqi organizative

Ndër tjerash, prokurori Halling ka prezantuar edhe një organogram të strukturës së UÇK-së të nëntorit 1998, duke iu referuar të dhënave, që sipas ZPS-së, u gjetën në banesën e Jakup Krasniqit.

“Mund të shihni Krasniqin që bën me dije rolin e vet si zëvendëskomandant i UÇK-së dhe rolin që kishin tre të akuzuarit e tjerë: Hashim Thaçi politik, Rexhep Selimi inspektor i përgjithshëm, Kadri Veseli funksionar zbulimi”, tha prokurori Halling.

Ai prezantoi edhe një dokument që po ashtu tha se u gjet në banesën e Jakup Krasniqit. Sipas tij, ai dëshmon se Krasniqi i udhëzonte komandantët e zonave që të kryenin arrestime.

“Ky urdhër i fillimit të dhjetorit të vitit ’98, i nënshkruar nga Jakup Krasniqi dhe që është gjetur në banesën e tij është një shembull tjetër ku udhëzon komandantët e zonës që të urdhërojnë policinë ushtarake që t’i arrestojnë ata shtetas që i tregojnë besnikëri okupatorit, që mbajnë uniforma të policisë serbe, sepse kështu kanë kryer akte tradhtie ndaj shqiptarëve. E njëjta gjë do të bëhet në të ardhmen për çdo qytetar që është implikuar me çdo forcë policie që nuk është pjesë e UÇK-së, përpara se të vendoset statusi politik i Kosovës”, tha ai.

Në referencat e Prokurorisë ishte marrë edhe një libër i Jakup Krasniqit. Aty, prokurori tha se Krasniqi flet për hierarkinë që e kishte UÇK-ja.

Komunikata 59

Komunikata nr. 59 e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës e akuzonte ish-ushtarin Gani Geci si kolaboracionist dhe vrasës.

Kjo u përmend në seancën e parë gjyqësore ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së si dëshmi kundër tyre. Sipas prokurorit, Geci kërkohej që “të keqtrajtohej”.

U transmetuan inserte nga intervistat e Hashim Thaçit dhe Rexhep Selimit, ku ky i fundi e akuzonte të parin si autor të kësaj komunikate.

“Keqtrajtimi” i anëtarëve të LDK-së

Ndër kundërshtarët e UÇK-së, Prokuroria tha se konsideroheshin personat të cilët nuk pajtoheshin me metodat e kësaj organizate dhe pjesëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Ndonjëherë këta quheshin tradhtarë, bashkëpunëtorë… Provat tregojnë që personat e etiketuar kështu ndaloheshin dhe keqtrajtoshin në mënyrë të tmerrshme”, tha prokurori.

Sipas Prokurorisë, pjesë e keqtrajtimeve të pretenduara ndaj anëtarëve të LDK-së, bëheshin “edhe nëpërmjet pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë të të akuzuarve”.

Prokurori Alan Tieger tha se Thaçi, Selimi e anëtarë tjerë të UÇK-së, në shtator të vitit 1998 i kishin keqtrajtuar 13 përfaqësues të LDK-së në Qirez të Skënderajt, pasi ata, sipas tij, po e zhvillonin një vizitë humanitare në atë zonë.

Tieger citoi një deklaratë për shtyp, që pretendoi se ishte e policisë ushtarake të UÇK-së dhe që fliste për arrestimin e 13 përfaqësuesve të një delegacioni parlamentar.

“Provat tregojnë gjithashtu që Hashim Thaçi iu tha anëtarëve të delegacionit të arrestuar se UÇK-ja nuk e njihte parlamentin e Kosovës, i pyeti ata dhe i bëri ata që të shkruajnë deklarata që hiqnin dorë nga Rugova dhe LDK-ja dhe iu kërkoi atyre që të jepnin dorëheqje nga postet parlamentare”, tha prokurori Tieger.

Prokurorja tjetër, Clare Laëson tha se gjatë procesit gjyqësor do të dëgjohet se Thaçi dhe Veseli kishin nxjerrë disa të ndaluar nga një qendër ndalimi dhe se si ata, sipas saj, kishin dashur t’i detyronin disa anëtarë të shquar të LDK-së që të bënin deklarata publike në mbështetje të UÇK-së.

“Do të dëgjoni Thaçin dhe Veselin së bashku që i kanë nxjerrë të ndaluarit nga një qendër ndalimi. Këta persona nuk janë parë më kurrë që prej atëherë. Thaçin dhe Veselin, edhe njëherë tjetër bashkë mund të dëgjoni që kërkonin të detyronin anëtarë të shquar të LDK-së që të jepnin deklarata publike në mbështetje të UÇK-së. Thaçin, të shoqëruar kësaj here nga një anëtar i identifikuar i NPK-së dhe nga krimineli i shpallur fajtor, Sabit Geci, që drejton ndalimin dhe merr në pyetje 13 anëtarët e delegacionit parlamentar ndërkohë që ata ishin të lënduar nga rrahjet. Ky është një incident në të cilin ka qenë i përfshirë edhe vetë Selimi”, tha prokurorja.

Një rast tjetër e ka përmendur prokurori James Pace, ku pretendon se Hashim Thaçi dhe Sabit Geci i kishin marrë në pyetje disa të ndaluar, të identifikuar si rugovistë.

“Hashim Thaçi dhe Sabit Geci morën në pyetje të ndaluarit duke i identifikuar si Rugovistë, duke i kërkuar që të nënshkruanin deklaratat për të hequr dorë nga Ibrahim Rugova dhe duke kërkuar të heqin dorë nga LDK-ja dhe të jepnin dorëheqje nga të gjitha funksionet parlamentare…Të ndaluarit u morën në pyetje dhe u keqtrajtuan se ishin spiunë apo simpatizantë të presidentit Rugova dhe të LDK-së. U morën në pyetje për mbështetje të LDK-së dhe për kundërshtimin e UÇK-së”, tha ai.

Mbrojtësi i viktimave: Frikësohen nga hakmarrja

Në fund të seancës së sotme foli mbrojtësi i viktimave, Simon Laës. Ai tha fillimisht se ky proces gjyqësor duhet ta gjejë të vërtetën.

Ai tha se shqiptarët që u paraqitën si viktima në këtë rast kanë pranuar që “të turpëroheshin dhe të mos flisnin”, por sipas tij, kjo nuk ka funksionuar.

“Çmimi që u desh të paguanin ishte jeta në mërgim”, tha ndër tjerash Laës.

Mbrojtësi i viktimave pati disa fjalë edhe për katër të akuzuarit.

“Ata ishin persona të fortë. Në qoftë se ata kanë qenë duke i bërë këto krime, me siguri nuk kanë imagjinuar që do të vinte një ditë si kjo e sotmja”, tha ai.

Laës tha se disa prej atyre që janë paraqitur si viktima “janë etiketuar si tradhtarë”.

“Etiketimet të vrasin. Disa prej tyre janë të frikësuar për hakmarrje”, theksoi ai.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img