Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka dënuar ashpër sulmet raciste dhe urrejtjen pas një incidenti tragjik që ndodhi në jug të vendit, ku një musliman nga Mali u vra brutalishëm me thikë në një xhami.
Macron theksoi se “racizmi dhe urrejtja e bazuar në fe nuk mund të kenë vend në Francë,” duke shtuar se liria e adhurimit duhet të mbrohet në çdo rrethanë.
Sulmi ka ndodhur në fshatin La Grand-Combe, në rajonin Gard, ku Aboubakar Cisse, një i ri nga Mali, u godit me thikë dhjetëra herë, dhe kjo u filmua nga sulmuesi, i cili bërtiste dhe ofendonte Islamin. Aktualisht, sulmuesi është në arrati dhe autoritetet po hetojnë motivet e tij, duke përfshirë mundësinë e islamofobisë si një nga shkaqet që po shqyrtohen.
Në reagimin e tij, Macron ofroi mbështetje për bashkëqytetarët myslimanë të Francës, duke deklaruar se urrejtja dhe dhuna ndaj grupeve të ndryshme fetare nuk mund të tolerohen në shoqërinë franceze.
Kryeministri François Bayrou e quajti sulmin një “mizori islamofobike”, ndërsa Ministri i Brendshëm Bruno Retailleau ka urdhëruar forcimin e sigurisë në xhamitë e vendit për të parandaluar ngjarje të ngjashme në të ardhmen.
Ky incident ka shkaktuar një tronditje të thellë, dhe më shumë se 1,000 qytetarë marshuan në La Grand-Combe për të nderuar viktimën.
Po ashtu, qindra njerëz morën pjesë në një tubim në Paris, ku Jean-Luc Mélenchon, lideri i së majtës ekstreme, kritikoi qeverinë për krijimin e një “klime islamofobie” në Francë, një periudhë ku emigracioni është një temë e nxehtë politike. Retailleau e kundërshtoi këtë, duke akuzuar partinë e Mélenchon për shfrytëzimin politik të tragjedisë.