Site icon PrishtinaPress

Vrasja në Prizren/ I vazhdohet paraburgimi “Kobrës” dhe një të dyshuari tjetër, tre të tjerëve iu zëvendësohet masa

Gjykata Themelore në Prishtinë, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale, duke marrë vendim për vazhdimin e paraburgimit edhe për dy muaj ndaj Dibran Hoxhës i njohur si “Kobra” dhe të pandehurit tjetër R.S.

Ndërsa, ndaj tre të pandehurve të tjerë, Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim për zëvendësimin e masës së paraburgimit.

Lajmi është bërë i ditur nga zyrtarja ligjore e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Medina Gashi.

“Ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special me aktvendimin PPPS.nr.7/23 të datës 29.06.2023 ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit  D.H, të njëjtit kjo masë i është vazhduar deri me datë 03.09.2023, dhe ndaj të pandehurit  R.S, ashtu që të njëjtit kjo masë i është vazhduar deri me datë 06.09.2023”, tha Gashi për Betimi për Drejtësi.

Ajo njoftoi se për të pandehurit Arben Vezaj dhe Jesmir Badalli, Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për zëvendësimin e masës së paraburgimit me arrest shtëpiak.

Ndërsa, për të pandehurin Burim Mazreku masa e paraburgimit është zëvendësuar me masën e paraqitjes në stacionin policor.

“Ju njoftojmë se me datë 29.05.2023 Prokuroria Speciale ka paraqitur kërkesë për zëvendësim të masës nga paraburgimi në masën e arrestit shtëpiak për të pandehurit A.V dhe J.B, si dhe po me këtë datë ka paraqitur kërkesë për zëvendësim te masës nga paraburgimi në masën e paraqitjes në stacion policor për të pandehurin B.M, të cilat kërkesa janë aprovuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special”.

Exit mobile version