Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një person në Prishtinë, i cili ishte në kërkim për një vrasje që kishte ndodhur në Drenas.
Policia njofton se vrasja në Drenas kishte ndodhur më 22 gusht 2020.
“Më datë 22.08.2020, në fshatin Nekoc të Gllogocit, kishte ndodhur rasti ‘vrasje e rëndë’. Lidhur me rastin, në atë kohë janë arrestuar tre persona të dyshuar të përfshirë në rast.
I dyshuari i katërt I.S., (viti i lindjes 1991, mashkull kosovar) që nga ajo ditë ndodhej në arrati. Lënda është dërguar në prokurori me kallëzim penal ndaj të dyshuarave, ndërsa nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda, është lëshuar URDHËR ARREST ndaj të dyshuarit I.S.”, thuhet në njoftim.
Polica bën të ditur se personi i dyshuar është arrestuar në Prishtinë, ku edhe i është konfiskuar një pistoletë.
“Sot, më 06.10.2021, rreth orës 09:30, në rrugën ‘Tring Ismaili’ Prishtinë nga hetuesit policorë është arrestuar i dyshuari I.S., në banesën ku ka qenë duke jetuar. Të dyshuarit në banesë i është gjetur një pistoletë me një karikator me 3 fishekë. I njëjti është intervistuar në prezencën e avokatit mbrojtës sipas detyrës zyrtare dhe me aktvendim mbi ndalimin nga prokurorja e rastit është dërguar në qendrën e mbajtjes për 48 orë”.