Gjykata e Apelit ka marrë vendim me të cilin Enver Sekiraqën e ka kthyer nën masën e paraburgimit lidhur me rastin e vrasjes së policit Triumf Riza.
Departamenti Special e ka aprovuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ndërsa aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë të datës 03.05.2024, e ka ndryshuar.
Më 3 maj, Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte dënuar Enver Sekiraqën me 25 vite dënim me burgim dhe në shpallje të aktgjykimit, gjyqtari e kishte liruar nga masa e arrestit shtëpiak.
“Gjykata e Apelit e Kosovës me aktvendimin PN1.S.nr.91/2024, të datës 17.05.2024, e ka aprovuar si të bazuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ndërsa aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, PKR.nr.170/2020 të datës 03.05.2024, e ka ndryshuar, ashtu që të pandehurit E.S, i është caktuar masa e paraburgimit, e cila do të zgjasë deri sa aktgjykimi të merr formën e prerë, por jo më shumë se koha e dënimit të shqiptuar me aktgjykimin e gjykatës themelore. Të pandehurit E.S, masa e paraburgimit i është caktuar konfrom dispozitës së nenit 184 paragrafi 1 nënparagrafi.1.1 e 1.2, kushti nga pika 1.2.1, lidhur me nënparagrafin 1.3 të KPPRK.”