5.9 C
Pristina
Wednesday, November 6, 2024

Buy now

spot_img

Vrasja e policit në Zllatar, dëshmitari rrëfen se çka kishte parë atë natë

Në seancën e së martës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dëshmitari Artan Morina (zyrtar policor), deklaroi se në natën kur ka ndodhur ngjarja, i kishte parë katër të shtëna tjera me armë, si dhe i kishte dëgjuar edhe dy ose tri të shtëna tjera, në rastin e vrasjes së policit në Zllatar.

“Atë natë para ngjarjes i kom pa edhe katër të shtëna tjera duke gjuajtur, i kam dëgjuar edhe dy ose tri tjera të cilat s’i kom pa veç i kom dëgju”, tha dëshmitari Morina, duke u përgjigjur në pyetjet e përfaqësuesit të palës së dëmtuar, avokatit Besnik Berisha.

Në këtë rast, Fatlum Mehmeti po akuzohet se me dashje eventuale ka privuar nga jeta anëtarin e Policisë së Kosovës, L.H., në një ndejë të organizuar nga pjesëtarët e PK-së në Zllatar, në shkurt të vitit të kaluar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në fillim të seancës, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Kushtrim Shyti, ka konstatuar se ndërpritet dhënia e dëshmisë së dëshmitarit Florent Ahmeti, i cili është dëgjuar seancën e kaluar, kjo pasi që i njëjti është tashmë i akuzuar në një procedurë tjetër të përbashkët me të akuzuarin Fatlum Mehmeti.

Kurse, dëshmitari Morina, duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Ilaz Beqiri, tha se me tani të ndjerin L.H., kanë pasur raporte shoqërore por jo të theksuara dhe se janë njoftuar diku 4- 5 muaj para ngjarjes tragjike.

Ai shtoi se edhe me të akuzuarin Mehmeti kanë pasur raporte shoqërore dhe se kanë më shumë se një vit që njihen, ndërsa mes këtij të fundit dhe tani të ndjerit L.H., nuk ka pasur raporte të këqija asnjëherë.

“Momenti kritik ka ndodhur rreth orës 23:30, ndërsa unë kam qenë jashtë në ballkon tek skara, rreth 10 minuta para se me ndodh ngjarja pata dalë nga salloni”, tha dëshmitari Morina.

Ai theksoi se pasi që ka hyrë në sallon, të akuzuarin Mehmeti e ka parë afër derës duke e goditur veten me grushte në kokë dhe duke e sharë veten.

Po ashtu, Morina tha se brenda në vilë në sallon nuk e ka parë askënd duke manipuluar apo duke shtënë me armë.

Dëshmitari Morina fillimisht deklaroi se ka punuar afërsisht 4- 5 muaj së bashku në një ndërrim me tani të ndjerin L.H, por pastaj tha se ka gjasa që edhe më pak se aq.

Ndërkaq, ai tha se e kishte parë të akuzuarin Mehmei duke pirë birrë një herë, mirëpo nuk e di se sa birra i kishte pirë atë natë.

Lidhur me të shtënat që i kishte parë dhe dëgjuar atë natë, ai tha se të shtënat kanë ardhur nga jashtë vilës dhe kanë ndodhur rreth orës 22:00.

Pas pyetjeve tjera nga avokati Berisha, Morina tha se nuk mund të përgjigjet tutje lidhur me këto të shtëna, pasi që ekziston një kallëzim penal ndaj tij lidhur me veprën penale “Moslajmërim i veprës penale”, andaj këto gjëra do t’i thotë në atë seancë nën praninë e avokatit të tij.

Më pas, gjykatësi Shyti konstatoi se pasi që prokurori Beqiri dhe avokati Berisha kanë lajmëruar se pasdite kanë obligime në disa raste tjera, seanca e sotme nuk mund të vazhdojë pasdite.

Andaj, në këto rrethana seanca e sotme u ndërpre dhe e radhës është caktuar më 27 korrik 2023.

Ndryshe, i akuzuari Mehmeti më 14 prill 2023 është deklaruar i pafajshëm se nga “dashja eventuale” kishte vrarë policin L.H, në shkurt të 2022-ës, në një organizim shoqëror në Zllatar të Prishtinës.

Sipas aktakuzës të ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 20 tetor 2022, Fatlum Mehmeti akuzohet se më 18 shkurt 2022, rreth orës 13:45, në sallonin e vilës në fshatin Zllatar të Komunës së Prishtinës, me dashje eventuale ka privuar nga jeta tani të ndjerin, pjesëtarin e Policisë së Kosovës, L.H.

Në këtë aktakuzë thuhet se gjatë një ndeje që ishte organizuar nga ana e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës së Stacionit Policor Qendra në Prishtinë, ku prezent kanë qenë pjesëtarët e PK-së: Florent Ahmeti, Gëzim Tahiri, Ilir Salihu, Bleart Misiri, Elit Thaqi, Enis Imeri, Artan Morina, Astrit Zabërgja, Ron Aliu, Arian Menxhiqi, Adis Berisha, Xhafer Berisha, Valdet Rrahimi dhe Ali Ahmeti, i akuzuari Fatlum Mehmeti i vetëdijshëm që manipulimi me armë paraqet rrezik për rrethin e posaçërisht në hapësira të mbyllura, në prezencën e personave të lartcekur, ka manipuluar me armën zyrtare të tipi “Gllok” 9mm, deri sa ishte i ulur në krevat, ndërsa në anën e majtë të tij, në distancë prej rreth 70-80 cm, ishte i ulur tani i ndjeri L.H dhe përreth kolegët e tij.

Tutje, në aktakuzë thuhet se i akuzuari ka nxjerrë armën nga beli me qëllim që ta vendosë atë në xhaketë, si dhe mundohet që ta heqë karikatorin dhe ta sigurojë armën, mirëpo shkakton një të shtënë nga arma dhe predha e godet tani të ndjerin L.H. në regjionin e krahut të dorës së djathtë, me ç’rast i shkakton plagë vdekjeprurëse.

Andaj, me këtë akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje me dashje eventuale” nga neni 172 lidhur me nenin 21 par.3 të Kodit Penal.

 

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img