Vrasja e Donjeta Pajazitaj nga Strellci i Deçanit nuk është zbardhur që nga viti 2015. Personi që akuzohej se e ka privuar nga jeta të renë nga Deçani, është liruar nga akuzat nga Gjykata Supreme.
Prokuroria Themelore e Pejës, tashmë e ka dërguar për ekzaminim një provë në SHBA dhe është optimiste se do të ketë të gjetura.
Kështu u shpreh zëdhënësi Shkodran Nikçi.
“Provën kryesore të kësaj çështje penale, përmes ambasadës së SHBA-së, është dërguar për ekzaminim në SHBA që të kryhet në institucionin më të lartë ekzaminimi i kësaj prove dhe pasi ta pranojmë raportin do të merren edhe veprimet ligjore konform të gjeturave të këtij raporti”, tha Nikçi për Express
“Prova më herët është dërguar në Turqi por nuk kemi pranuar rezultate të detajuara dhe është dashur të dërgohet në SHBA, jemi optimist se do të ketë të gjetura”, tha ai.
Kjo provë lidhet me videon që shihet Naser Pajazitaj duke e marrë me veturë një vajzë në qendër të fshatit, merr vesh Express.
Gjykata Supreme ka liruar Naser Pajazitajn nga akuza për vrasjen e Donjeta Pajazitit me arsyetimin se nuk ka prova të drejtpërdrejta që argumentojnë fajësinë e Pajazitajt.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK), ka vendosur që Naser Pajazitajt i cili akuzohej për vrasjen e D.P.,, ta dëmshpërblejë me 61 mijë e 777 euro e 16 centë, por ky vendim është refuzuar nga ai.