Site icon PrishtinaPress

Vrasja e para 22 vjetëve, dëshmitari thotë se ngjarja kishte ndodhur jashtë diskotekës

Dëshmitari Premtim Alaj ka thënë se krejt çka i kujtohet prej vitit 2001 është se ngjarja ka ndodhur jashtë diskotekës.

Këtë deklaratë Alaj e ka thënë të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë në rastin ku Fahri Kajtazi, Labeat Kastrati dhe Hamdi Marviqi, po akuzohen për vrasjen e A.M, në vitin 2001 në lokalin “Inter Klub” në Prishtinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Krejt çka mund të them është se e di me siguri që ka qenë vikend në orët e vona dhe ngjarja si ngjarje ka ndodh jashtë objektit lokalit – diskotekës, si ngjarje nuk e kam të memorizume nuk e kujtoj më shumë”, tha dëshmitari Alaj.

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Armend Hamiti, dëshmitari Alaj ka thënë se se lidhur me ngjarjen nuk i kujtohej çfarë ka ndodhur, por i njëjti pas leximit të deklaratës së tij të dhënë më 9 maj 2002 ai tha se qëndron pranë asaj deklarate të dhënë para gjyqtarit hetues.

“Të them të drejtën ka kalu një kohë e gjatë për ngjarjen që ka ndodh. E di që e kam dhënë edhe një deklaratë nuk më kujtohet, mirëpo e kam dhënë një deklaratë para gjyqtarit hetues, gjërat me siguri kanë qenë më të freskëta atëherë se sa tash”, ka thënë dëshmitari Alaj.

Përveç kësaj deklarate, i njëjti pohoi se ka dhënë edhe një deklaratë tjetër më 4 shtator 2002, për të cilën tha se qëndron prapa së njëjtës.

Po ashtu, në këtë seancë, është dëgjuar edhe dëshmitari Mustafë Kurmehaj i cili deklaroi së në kohën kur kishte ndodhur ngjarja kishte punuar si sigurim në lokal, por emri i të cilit nuk iu kujtohej.

Kurmehaj ka thënë se tre të akuzuarit, Kajtazi, Kastrati dhe Mavriqi i kishte njohur vetëm si figura që kanë hy në atë lokal, por prej dëshmisë që i njëjti e kishte dhënë më parë në gjykatë ai tha se më nuk i kishte parë kurrë ata.

Por, lidhur me ngjarjen e ndodhur në fjalë, ai tha se nuk i kujtohej pasi që ka kaluar kohë e gjatë.

“Unë qëndroj prapa deklaratave të cilat i kam dhënë më herët dhe lidhur me këtë rast unë nuk kam qenë dëshmitar okular i ngjarjes, se kur je dëshmitar okular e din se çfarë ka ndodhur, ndërsa me këtë rast unë nuk e di se si ka rrjedh ngjarja”, ka thënë Kurmehaj.

I njëjti pasi që konfirmoi nënshkrimin e tij në procesverbalin e datës 9 maj 2002, tha se qëndron në tërësi pranë asaj deklarate.

Ndryshe, në këtë seancë munguan përfaqësuesi i palës së dëmtuar, mbrojtësi i viktimave dhe dëshmitarët Bahri Nika, Skender Berisha dhe Nuredin Makovci.

Për dëshmitarin Nika, gjykatësi i rastit Agim Kuci tha se do të lëshohet urdhëresë për sjelle me shoqërim në seancën e radhës.

Ndërsa, prokurori Hamiti qëndroi pranë propozimit që në cilësi të dëshmitarëve të dëgjohen Besim Mehmeti, Bahri Nika, Nuredin Makovci, Skender Berisha, Laura Nushi dhe Ibër Alaj.

Seanca e radhës për këtë rast u caktua më 14 korrik 2023.

Ndryshe, në seancën e rigjykimit të mbajtur më 22 shkurt 2023, tre të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm lidhur me veprat penale që iu vihen në barrë.

Për këtë çështje, Gjykata e Qarkut në Prishtinë kishte shpallur aktgjykim më 1 dhjetor 2002, ku të akuzuarit Labeat Kastrati, Fahri Kajtazi dhe Milaim Cakaj i kishte shpallur fajtorë, ndërsa të akuzuarin Hamdi Mavriqi e kishte liruar nga akuza.

Sipas aktgjykimit, të akuzuarit Kastrati dhe Kajtazi ishin dënuar me nga 3 vite burgim (secili veç e veç), ndërsa i akuzuari Cakaj me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë muajsh.

Ndërsa, të akuzuari Mavriqi e Kastrati me aplikimin e dispozitës së nenit 350 të Ligjit të Procedurës Penale (LPP), janë liruar nga akuza.

Në këtë rast, prokurori publik kishte bërë ankesë në Gjykatën Supreme, ku kishte kërkuar që aktgjykimi që ka të bëjë me të akuzuarin Milaim Cakaj dhe ai i mbrojtësve të tij të refuzohet si i pabazuar dhe në këtë pjesë aktgjykimi i Gjykatës së Qarkut në Prishtinë i datës 1 shtator 2002 të vërtetohet.

Ndërsa, më 26 nëntor 2009, Gjykata Supreme kishte miratuar ankesën e prokurorit publik të Qarkut në Prishtinë dhe mbrojtësve të të akuzuarve Labeat Kastrati dhe Fahri Kajtazi, me ç’rast kishte anuluar aktgjykimin e Gjykatës së Qarkut në Prishtinë të 1 dhjetorit 2002, që ka të bëjë me të akuzuarit Labeat Kastrati, Hamdi Mavriqi dhe Fahri Kajtazi dhe kishte vendosur në këtë pjesë që lënda t’i kthehet së njëjtës gjykatë për rigjykim.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 24 qershor 2002, i akuzuari Fahri Kajtazi, më 17 dhjetor 2001, rreth orës 02:30- 03:20, në “Inter Klub” në Prishtinë, pas disa fjalosjeve- zënkave, sharjeve dhe kërcënimeve nga ana e tij drejtuar Labeat Kastratit dhe Hamdi Mavriqit, kur këta për t’iu shmangur zënkave dhe kërcënimeve të tij, vendosin të dalin nga klubi dhe të shkojnë në shtëpitë e tyre, por para tyre ka dalë i akuzuari Fahri me shokët e tij A.M dhe Milaim Cakajn, i cili prapë vazhdon me sharje dhe kërcënime se do t’i vras.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Milaim Cakaj nga brezi ia merr revolen e markës “Crvena Zastava” dhe me të nga shkallët e Pallatit të Rinisë, nga një distancë e pavërtetuar shtie tri- katër herë në drejtim të tyre me qëllim që t’i privojë nga jeta, por nuk e godet asnjërin.

Në këtë mënyrë, akuzohet se ka kryer dy vrasje në tentativë nga neni 30 al.1 të Ligjit Penal të Kosovës (LPK) lidhur me nenin 19 të Ligjit Penal të Jugosllavisë (LPJ), i aplikuar sipas rregullores se UNMIK-ut, e të ndëshkueshme sipas dispozitës të nenit 30 al.3 të LPK-së.

Sipas dispozitivit të dytë, i akuzuari Milaim Cakaj, më 17 dhjetor 2001 në “Inter Klub” në Prishtinë, e ka poseduar pa leje armën-revolen e markës “Crvena Zastava”,

Sipas aktakuzës, në këtë mënyrë i pandehuri Cakaj ngarkohet se ka kryer veprën penale nga neni 8.2. e ndëshkueshme sipas nenit 8.6. të rregullores se UNMIK-ut nr.2001/7 për Autorizimin e Posedimit të Armëve në Kosovë.

Tutje, sipas dispozitivit të tretë, të akuzuarit Labeat Kastrati dhe Hamdi Mavriqi, në të njëjtin vend dhe në të njëjtën kohë, si në pikën I të dispozitivit, pasi që më parë i akuzuari Fahri Kajtazi ka filluar që me revole të shtie në drejtim të tyre dhe këta i nxjerrin revolet e tyre, të cilat i kanë pasur me leje, Labeat Kastrati me revolen e markës “Tokarev”, kurse Hamdi Mavriqi, gjithashtu, me revolen e markës “Tokarev” dhe kanë shtënë shumë herë në drejtim të Fahri Kajtazit, me qëllim që të njëjtin, ta privojnë nga jeta.

Sipas këtij dispozitivi, duke shtënë në drejtim të tij, një predhë e njërit prej tyre e godet për vdekje tani të nderin A.M, të cilin qytetarët e dërgojnë në Spital, për t’i dhënë ndihmë, ku mjekët e konstatojnë vdekjen e tij.

Në këtë mënyrë, akuzohen se në bashkëveprim e kanë kryer veprën penale “Vrasje në tentativë” nga neni 30 al.I të LPK lidhur me nenin 19 të LPJ, i aplikuar sipas rregullores së UNMIK-ut dhe veprën penale “Vrasje” nga neni 30 all të LPK, e të ndëshkueshme sipas nenit 30 al.3. të LPK.

 

Exit mobile version