Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim për vazhdimin e masës së paraburgimit edhe për dy muaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, të dyshuar për vrasjen e Liridona Ademajt – bashkëshortes së Naimit.
Lajmin është bërë i ditur edhe nga Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës.
“Ju informoj se të pandehurve N.M, G.P dhe K.K iu është vazhduar masa e paraburgimit për dy muaj me Aktvendimin e datës 21.06.2024, e cila masë do t’iu llogaritet nga data 27.06.2024 deri me datë 26.08.2024, nën kushtet ligjore të parapara në KPPK”.
Liridona, 30 vjeçe, u vra më 29 nëntor në një fshat afër Prishtinës.
Rasti fillimisht u raportua si vrasje gjatë përpjekjes për grabitje, por, vetëm dy ditë më vonë, policia njoftoi për arrestimin edhe të bashkëshortit në mesin e tre të dyshuarve.
Motivet nuk janë ende të qarta, por dyshohet se Naim Murseli e porositi vrasjen e gruas së tij – nënë e dy fëmijëve – dhe se dorasit i premtoi 30.000 euro.