Site icon PrishtinaPress

Vrasja e gruas në Llaushë, kryeprokurori kërkon të hetohen prokurorja dhe mbrojtësi i viktimave

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka kërkuar nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, Ismet Ujkani, që t’i shqyrtojë të gjitha veprimet e prokurores së rastit të gruas nga Llausha e Skenderajt e cila u vra nga bashkëshorti i saj.

Përmes një komunikate për media nga zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, thuhet se do të ndërmerren masat e nevojshme ndaj prokurores, varësisht prej të gjeturave.

“Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka kërkuar nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Ismet Ujkani, si autoritet kompetent, që të shqyrtojë të gjitha veprimet e prokurores lidhur me rastin e viktimës L.Q nga Llausha e Skenderajt dhe nga të gjeturat eventuale t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme sipas Ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve”, thuhet në komunikatë.

Po ashtu, Lumezi ka kërkuar edhe nga Menaxheri i Zyrës për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave që të shqyrtojë veprimet e mbrojtësit të viktimave, lidhur me rastin në fjalë.

“Po ashtu, Kryeprokurori Lumezi ka kërkuar nga Menaxheri i Zyrës për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave që të shqyrtojë të gjitha veprimet e mbrojtësit të viktimave lidhur me këtë rast dhe nga të gjeturat eventuale të ndërmerren edhe veprimet e nevojshme”, thuhet në komunikatë.

Edhe në Skenderaj është mbajtur protesta kundër dhunës dhe vrasjes së grave, duke dënuar vrasjen e Lirije Qerimaj nga bashkëshorti në Llaushë.

Exit mobile version