Gjykata Themelore në Mitrovicë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Jetmir Sinani, duke e dënuar me dënim unik prej 24 vjet burgim për vrasjen e F.Z,. dhe L.M., më 2023 në Vushtrri.
Aktgjykimi dënues ndaj të akuzuarit Sinani është shpallur të hënën nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Mentor Hajraj, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Sipas aktgjykimit, të akuzuarit Jetmir Sinani për veprën penale “Vrasje e rëndë” iu shqiptua dënim në kohëzgjatje prej 23 vitesh burgim, kurse për armëmbajtje pa leje u dënua me 1 vit e gjashtë muaj burgim.
Ndaj tij, Gjykata shpalli dënim unik me 24 vite burgim, i cili dënim do të ekzekutohet në afat prej 15 ditësh nga plotfuqishmëria e aktgjykimit.
Në dënimin me burgim, të akuzuarit Sinani do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, deri në plotfuqishmërinë e këtij aktgjykimi, por jo më gjatë se dënimi i shqiptuar.
Po ashtu, Sinanit gjykata ia vazhdoi masën e paraburgimit derisa aktgjykimi të bëhet i formës së prerë.