2.7 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Buy now

spot_img

Vrasja e dy zyrtarëve të PDK-së në Pejë – cilat janë dyshimet e para, krejt çka dihet deri tani

Dy persona kanë mbetur të vdekur gjatë mbrëmjes së djeshme në Komunë e Pejës. Pas njoftimeve të para u bë e ditur se bëhet fjalë për kandidatin për kryetar të kësaj komune nga radhët e PDK-së, Astrit Ademaj dhe ish-kandidatin e PDK-së për Deçanin, Blerand Kadriaj.

Ngjarja ka ndodhur afër shkollës Ekonomike “Ali Hadri” në Pejë. Burime të Gazetës Express zbulojnë prapaskenat e rastit.

Dy viktimat dyshohet se kanë qenë në një lokal dhe për një moment kanë sulmuar njëri tjetrin. Dyshohet se Ademaj e Kadriaj kanë shkrepur me armë ndaj njëri tjetrit me ç’rast kanë mbetur të vrarë.

I plagosur nga shkrepja e armëve ka mbetur vëllai i Astrit Ademajt, Avni Ademaj.

Për këtë rast detaje kanë dhënë edhe Policia e Kosoëvs.

“Rreth orës 20:20 minuta policia është informuar se në afërsi të shkollës Ekonomike në Pejë ka të shtëna me armë zjarri. Me të marrë informacionin policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe është kuptuar se nga këto të shtëna tre persona kanë pësuar lëndime trupore. Të njëjtit janë dërguar në spitalin rajonal në Pejë dhe gjithnjë sipas ekipit mjekësor, kanë konstatuar vdekjen e dy viktimave. Në vendin e ngjarjes janë njësitë relevante të policisë së Kosovës gjithashtu edhe Prokuroria e shtetit”, tha Driton Rugova, zëdhënës i policisë në Pejë.

Policia ka konfiskuar dy armë nga vendi ngjarjes ku dyshohet se ka ndodhur rasti dhe të cilat dyshohet se janë përdorur nga të dyshuarit.

Një person ndërkaq është arrestuar, e lajmin e ka konfirmuar Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Svecla.

“Sapo më njoftuan se një ngjarje e trishtuar ka ndodhur në qytetin e Pejës ku kemi vrasje të dyfishtë dhe një të plagosur, i cili tashmë është arrestuar“, ka thënë ai.

Tutje ai ka thënë se janë të përkushtuar të zbardhin detajet e rastit deri në fund.

“Siguria dhe mirëqenia e qytetarëve tanë është qenësore. Prandaj, jemi të përkushtuar, që me të gjitha kapacitetet të zbardhim rastin. Ngjarjet e tilla të dhunës me armë duhet të marrin fund. Jam plotësisht i angazhuar për të siguruar që Policia e Kosovës të  ketë të gjitha resurset e nevojshme për të zbardhur rastin dhe ofrojë siguri për  qytetarët. Familjeve të të vrarëve iu shpreh ngushllimet e sinqerta”, tha mbrëmë ai.

Për vrasjen e dyfishtë në Pejë ka pasur disa reagime.

“Partia Demokratike e Kosovës është e tronditur nga lajmi tragjik për vrasjen e dyfishtë në Pejë, të kandidatit tonë për kryetar të Komunës së Pejës, Astrit Ademaj dhe Blerand Kadrijajt, ish kandidat për Kryetar të Komunës së Deçanit më 2017. Ju shprehim ngushëllimet më të ndjera familjeve të tyre. Në këto momente të rënda, bashkëndjejmë me dhimbjen e tyre e lutemi që të gjejnë forcën që të përballin humbjen e rëndë”, thanë nga PDK-ja.

Për këtë rast ka reaguar edhe kreu i komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri.

“Jam shumë i tronditur me vrasjen e dyfishtë që ka ndodhur minuta më parë në Pejë, me ç’rast u vrit dhe kandidati për Kryetar të Komunës së Pejës nga radhët e PDK-së, Astrit Ademaj”, shkroi Muhaxheri në Facebook.

Muhaxheri thotë se e ka takuar pothuajse çdo ditë Astritin, dhe po sot kishin komunikuar bashkë.

“Prej fjalëve të para është një konflikt i çastit që ka ndodh në mes të Astritit dhe tash të dy viktimave dhe ka rezultuar me shkrepje zjarri”, thotë Muhaxheri.

A dinte Muhaxheri për ndonjë konflikt në mes të Ademajt e Kadrijajt?

“Nuk kam ditë. Astritin e kam takuar sot ditën, ka qenë i prokupuar me aktivitetin e tij politik. Nuk ka pasur asnjë shenjë që ka pasur konflikt me dikë”, tha Muhaxheri për Klan Kosovën.

“(Me Astritin) (Zakonisht jemi takuar çdo ditë para një lokali që është afër Komunës, ku ai rri me shokë. Blerandin veç e njoh nuk e kam takuar a me Astritin jam takuar shpesh. Vëllain e tij e kam si shok”, shpjegoi ai.

“Është rast tepër tragjik”, thotë Muhaxheri duke u shprehur ngushëllime të afërmeve të viktimave.

“Unë i pyeta edhe shokët por po get ka qenë konflikt pak më i hershëm ose i momentit që ka ndodh në mes të këtyre dyve sot”, shtoi ai.

Kryetari i degës së PDK-së në Pejë, Xhavit Haliti, ka reaguar pas vrasjes së dyfishtë të dy zyrtarëve të PDK-së në Pejë.

Haliti ka shprehur ngushëllimë për familjet e dy të vrarëve teksa ka thënë se është i tronditur.

“I tronditur në shpirt nga rasti tragjik në Pejë. Ju shpreh ngushëllime familjes Ademaj dhe Kadriaj. Në këto momente të rënda, bashkëndjej dhimbjen për humbjen e Astritit dhe Blerandit”, ka shkruar Haliti.

Për këtë rast kanë reaguar edhe liderët e shtetit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kërkuar hetim të ngjarjes dhe zbardhje sa më të shpejtë të rrethanave të rastit që tronditi vendin.

“Sonte u tronditëm nga ngjarja e rëndë që ndodhi në qytetin e Pejës. Sipas konfirmimit zyrtar të Policisë së Kosovës në vendin e ngjarjes kanë mbetur të vrarë dy qytetarë të vendit tonë, kandidati për kryetar të komunës së Pejës, A. A., dhe, ish kandidati për kryetar të Deçanit, B. K., të dy nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës. U shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjeve të viktimave, miqve dhe bashkëpunëtorëve nga Partia Demokratike e Kosovës. Në këto momente të vështira bashkëndjejmë me dhimbjen e tyre për këtë humbje kaq tragjike. Ftoj organet e rendit që me seriozitetin më të lartë, sa më parë të zbardhin rastin e kësaj vrasje të dyfishtë”, ka shkruar Kurti mbrëmë në Facebook.

Edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka kërkuar nga organet e rendit zbardhjen e shpejt të vrasjes së dyfishtë që ndodhi në qytetin e Pejës.

“Me trishtim e mora lajmin për ngjarjen e sontme tragjike në Pejë, në të cilën humbi jetën një kandidat i PDK-së për kryetar të Pejës dhe ish-kandidat për kryetar të Deçanit. Ngushëllime të sinqerta familjeve të të vrarëve dhe PDK–së! Të lënduarit, i dëshiroj shërim të shpejtë! Ftoj organet e rendit për zbardhje të rastit të kësaj vrasje të dyfishtë!”, thuhet në mesazhin e Presidentes Osmani./gazetaexpress.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img