Ende nuk është identifikuar asnjë person i dyshuar për vrasjen e 65-vjeçarit Nysret Gubetini me datën 10 janar në Mitrovicë. Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, Valon Preteni, tha se për këtë rast janë duke u zhvilluar hetime intensive.
Sipas prokurorisë vrasja e të moshuarit ishte e dhunshme dhe dyshohet se vdekja kishte ardhur si pasojë e disa goditjeve me një mjet të mprehtë.
Viktima ishte gjetur i vrarë brenda Shoqatës së të Shurdhërve në Mitrovicë, në të cilën ishte anëtar.
Por, edhe pse kanë kaluar dy javë nga vrasja, ende nuk është identifikuar asnjë person i dyshuar.
“Janë duke u zhvilluar hetime intensive në bashkëpunim me policinë, përfshirë edhe motivin. Ende nuk janë identifikuar persona të dyshuar”, tha për Gazetën Express zëdhënësi i Prokurorisë së Mitrovicës, Valon Preteni.
Rasti ishte klasifikuar si “vrasje”, teksa ngjarja tragjike sipas policisë kishte ndodhur me 10 janar rreth orës 14:35 në rrugën “Avni Shabani” në Mitrovicë. /Express