Site icon PrishtinaPress

Vrasja brutale e gazetares dhe liria e kufizuar e shtypit në Bullgari

Derisa autoritetet bullgare po hetojnë nëse përdhunimi dhe vrasja e gazetares Viktoria Marinova ka qenë krim i rastësishëm apo i lidhur me punën e saj, rasti nxori në pah pengesat për një shtyp të lirë në një vend, ku gazetarët janë shpesh subjekt i kërcënimeve.

Trupi i Marinovas u gjet në një park në qytetin verior Ruse të Bullgarisë, më 6 tetor, dhe autoritetet nisën hetime intensive.

Policia nuk mundi të thotë menjëherë motivin e vrasjes, por shumë kanë frikë nga më e keqja në një vend që radhitet i 111-ti nëIndeksin e Lirisë së Shtypit, që u publikua muajin e kaluar nga Reporterët pa Kufij. Nga vendet e Bashkimit Evropian, Bullgaria është e fundit në këtë listë.

Kryeministri i Bullgarisë, Boyko Borisov, tha se prova, përfshirë ADN-në, janë gjetur në vendin e krimit dhe se “është vetëm çështje kohe kur do të gjendet autori”.

“Kërkojmë hetim të pavarur nga Bashkimi Evropian të përdhunimit, torturimit dhe vrasjes së nënës dhe gazetares bullgare, Victoria Marinova”, tha Drew Sullivan, redaktor dhe bashkëthemelues i Projektit për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

“Përse vazhdojmë t’i lëmë hetimet te qeveritë që janë duke i hetuar gazetarët kur ata vriten”, shtoi Sullian në një postim në Twitter.

“Rrezik të jesh gazetar”

Marinova, gazetarja e tretë e profilit të lartë që u vra në Bashkimin Evropian gjatë viti të kaluar dhe e katërta që nga fillimi i vitit 2017, ishte e njohur për bërje të pyetjeve të vështira.

Duke punuar në televizionin privat TVN, ajo ka nisur së voni një program të quajtur Detektor.

Në episodin e fundit, më 30 shtator, u transmetuan intervista me Dimitar Stoyanov nga ueb-faqja hulumtuese Bivol.bg dhe Attila Biro nga Projekti Rritja Rumune.

Të dy ata kanë qenë duke hetuar mashtrimin e dyshuar me fonde të BE-së nga ana e biznesmenëve dhe politikanëve kur janë ndaluar nga policia bullgare për më shumë se shtatë orë në mes të shtatorit.

Nuk është e qartë se përse janë arrestuar, por incidenti ka ndodhur vetëm një ditë pasi Bivol dhe Projekti Rritja Rumune kanë publikuar pjesën e parë të hetimit të tyre, sipas të cilit, në projektet e financuara nga BE-ja në Bullgari ka korrupsion masiv.

Hetimi është fokusuar pjesërisht në shënimet nga GP Group, një kompani bullgare e infrastrukturës.

Gazetarët kanë zbuluar se deri në 40 për qind e fondeve të BE-së janë marrë nga projektet e infrastrukturës dhe janë përdorur për pagesa të paligjshme, si ryshfeti.

“Është rrezik të jesh gazetar në Bullgari dhe sulmi fizik është vetëm një nga kërcënimet”, thotë Silvia Velikova, gazetare nga Radioja Kombëtare e Bullgarisë, e cila mbulon gjyqësorin dhe politikën.

“Institucionet e korruptuar mund t’ju arrestojnë gjatë një kontrolli të kartës së identitetit, të nisin hetime kriminale kundër jush, t’ju trembin në intervista ose edhe t’ju shkarkojnë. Përballë këtyre opsioneve, gazetarët mund të vendosin të mos bëjnë pyetje të vështira”, thotë Velikova.

“Nuk ka prova” se gazetarja bullgare u vra për punën e saj”

Duke i përshkruar shqetësimet për klimën me të cilën përballen gazetarët në Bullgari, Reporterët pa Kufij vunë një pjesë të fajit te qeveria.

Ata thanë se zyrtarët ua ndajnë fondet e BE-së disa mediave që kanë “mungesë të plotë të transparencës”, duke iu dhënë ryshfet atyre “për të mos raportuar keq për qeverinë ose për të shmangur mbulimin e disa ngjarjeve problematike”.

Në një tjetër rast të profilit të lartë, gazetarja Dilyana Gaytandzhieva ka raportuar vitin e kaluar se sasi të mëdha armësh amerikane, saudite dhe bullgare janë dërguar fshehurazi në Siri.

Gjashtë javë pas publikimit të artikullit në të përditshmen bullgare Trud, Gaytandzhieva ka thënë se Agjencia Shtetërore për Siguri Kombëtare e ka ftuar në zyrat e saj.

Gaytandzhieva ka thënë se pas dy orësh marrjeje në pyetje për dokumentet e rrjedhura që i ka përdorur në artikullin e saj, ajo është shkarkuar nga gazeta pa ndonjë shpjegim.

Exit mobile version