Pas një diskutimi maratonik rreth 12-orësh, Kuvendi Komunal i Prishtinës ka votuar planin e hollësishëm rregullues 2024-2032 për lagjen ‘Kalabria’ në kryeqytet.
LDK dhe partitë opozitare arritën marrëveshje që të propozonin disa ndryshime në planin rregullues të cilin e prezantoi kabineti i kryetarit Përparim Rama.
Ndryshimet e votuara në planin rregullues janë si në vijim:
Prona publike tek Stacioni i Autobusëve të jetë me koeficient 3.0 nga 7.0 sa kishte propozuar komuna,
– Përgjatë “Rrugës A”, koeficienti për banorët do jetë nga 1.5 në 2.4,
– Hapësira e parkut “Botanika” me koeficient 1.0,
– Të shënjohen hapësirat e shërbimeve publike komunale,
Meqë LDK qeveris me pakicë, vendosi që të bëjë kompromis me partitë opozitare për t’u marrë vesh lidhur me propozimet që ata kishin për këtë plan.
Të pranishëm në seancë ishin edhe banorë të lagjes të cilët tash e disa muaj po kërkojnë miratimin e këtij plani.
Shefi i asamblistëve të LVV-së, Gëzim Sveçla, u shpreh se pas diskutimeve erdhën në ndryshimet e propozuara.
“Pas shumë diskutimeve kemi arritur në këtë përfundim me ndryshimet e propozuara: Rritja e koeficientit për banorët nga 1.5 në 2.4, të kthehen hapësirat e gjelbra, parku “Botanika” që ka qenë në planin e kaluar të kthehet si ka qenë në koeficientin 1.0, derisa hapësira e Stacionit llogaritet me koeficinet 3.0”- u shpreh ai.
Derisa, Leutrim Retkoceri nga PDK tha se do qëndrojnë në seancë për hir të qytetarëve, por janë kundër ndërtimit në pronë publike.
“Si PDK kemi kërkuar të rritet zona e gjelbërimit, shkolla e QMF të shënjohen si zona për shërbime komunale publike. Ne do qëndrojmë në seancë. Me cfardo koeficienti PDK nuk do përkrah ndërtim në pronën publike. Ne qëndrojmë por nuk bëhemi pjesë e një Badovci të dytë për ndërtime”- tha Retkoceri.
Gëzim Mehmeti nga AKR po ashtu tha se “për hir të intersit të qytetarëve sot kanë bërë kompromis, nuk është zgjidhje ideale, por për interesin qytetar kemi kaluar mbi personalen”- u shpreh Mehmeti.
Plani i hollësishëm rregullues për lagjen ‘Kalabria’ ishte anuluar nga kabineti i Përparim Ramës në mars 2022 me arsyetimin se janë shkelur procedura ligjore dhe duhej të shihej interesi publik.
Kllxo