Site icon PrishtinaPress

Votohet në lexim të parë Projektligji për Byronë Shtetërore, opozita nuk mori pjesë në votim

Kuvendi i Kosovës në vazhdimin e seancës plenare ka miratuar në parim Projektligjin nr.08/L-121 për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, me 58 vota për dhe 3 abstenime.

Partitë opozitare nuk morën pjesë në votim, pasi që patën kundërshtime të ashpra rreth këtij Projektligji.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi para hedhjes në votim tha se të mërkurën kanë pasur një konsultim mes grupeve parlamentare dhe kryeparlamentarit Glauk Konjufca, lidhur me hartimin e disa Projektligjeve që kanë të bëjnë me Vettingun dhe sistemin e sigurisë në Kosovë.

“Dje kemi kemi propozuar që të ndërtojmë disa parime bazë. Parimi i parë ishte për çështjen e Vettingut dhe ligjeve që kanë të bëjnë me Vettingun të ketë autorësi nga Kuvendi, parimi i dytë ishte që të ketë gjithëpërfshirje politike dhe balancim politik dhe parimi i tretë të ketë rregullim sektorial, pra të rregullohen sektorët që të jenë në pajtueshmëri këto ligje”, deklaroi Gashi.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Bensik Tahiri tha se në takimin e djeshëm u dakorduam që pronësinë mbi Vettingun ta merr Kuvendi i Kosovës në mënyrë që nëse duhet të ketë ndryshime kushtetuese atëherë të ketë konsensus.

“Nëse ne dje u dakorduam që të përcaktojmë saktësisht përbërjen, mandatin, detyrat në këtë proces ky ligj i cili bie në ndesh me Kushtetutën dhe është kundërshtuar nga Komisioni i Venecias, duhet të kthehet dhe të diskutohet. Nëse shtyjmë këto ligje me një agjendë partie, atëherë nuk do të keni konsensus për ndryshimet që do të duhen në të ardhmen”, tha Tahiri i AAK-së.

Pas kësaj foli ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e cila tha se nuk mban mend të ketë pasur debat më shumë në Kuvendin e Kosovës sesa për Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

“Qëndrimi i Qeverisë është që ky Projektligj të vendoset për votim në parim dhe pastaj të gjitha rekomandimet e Venecias të adresohen. Përshëndesim nisjen e takimeve të grupeve parlamentare për procesin e Vettingut”, tha Haxhiu.

Pas kësaj ka reaguar sërish shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi. Gashi ka thënë se kjo nënkupton që Qeveria nuk dëshiron bashkëpunim.

“Kjo nënkupton që Qeveria nuk dëshiron bashkëpunim, dhe faleminderit për ftesën dje për bashkëpunim kryeparlamentar, e konsideroj të paarsyeshme me na ftu në takime tjera nëse doni me shty përpara një çështje që është antikushtetuese”, tha Gashi.

Replikë pati edhe nga Besnik Tahiri i AAK-së, i cili tha se po bëhet një ndarje jo me fajin e opozitës.

“Po e shtyni një ligj që është antikushtetues. Dje kem diskutu në formën më përmbajtjesore për procesin e Vettingut. Kërkoj nga ju kryeparlamentar dhe kryeministër që të tërhiqet ky projektligj, përndryshe jeni pa ne”, tha Tahiri.

Edhe shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri tha se jemi pajtuar që çështjen e reformës në drejtësi të mos fokusohemi vetëm në Vetting por të jetë edhe çështja e Byrosë dhe konfiskimi.

“Mendoj se do të ishte mirë që kjo të shkohej në pako. Konsensusi politik është i nevojshëm sot”, tha Tahiri.

Exit mobile version