0.2 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Buy now

spot_img

Votat nesër për Demarkacionin: Këta janë deputetët “Pro”, “Kundër” dhe “të pavendosur”!

Megjithëse po afrohet seanca e 1 shtatorit, ku në rend dite do të jetë ratifikimi i Demarkacionit me Malin e Zi, ende mbetet e paqartë se i kanë apo jo votat partitë në pushtet, për ta votuar këtë demarkacion, i cili është kundërshtuar tash e sa kohë nga partitë opozitare.
Por jo vetëm opozita.
Kundër Demarkacionit janë shprehur edhe disa nga deputetët e partive në pushtet LDK e PDK, e të cilët rrezikojnë miratimin e tij.

Madje ka deklarata nga disa deputetë, të cilët pohojnë se ratifikimi i Demarkacionit po rrezikohet nga deputetët e LDK-së dhe PDK-së, të cilët do të votojnë kundër.
Tashmë janë disa deputetë të cilët e kanë deklaruar haptas votën e tyre kundër. Por ka dhe disa nga ata të cilët, nuk preferojnë të flasin për votën e tyre, duke pohuar se mënyra si do të votojnë, do të merret vesh të enjten në seancë.
Por burime brenda partive në pushtet thonë se koalicioni nuk i ka votat e duhura, për ta votuar demarkacionin.
Madje zyrtarë të LDK-së kanë pohuar se ka muaj që nuk janë thirrur nga shefi i Grupit Parlamentar dhe as që kanë diskutuar rreth kësaj çështje.
Andaj sipas këtij burimi, Demarkacioni rrezikon të mos votohet pasi që nuk janë votat e duhura.
Por jo të gjithë hezitojnë të tregojnë se do të votojnë kundër. Disa nga deputetët tashmë e kanë bërë të ditur votën e tyre, e cila nuk do të shkoj në favor të kësaj marrëveshje, duke pohuar se është e dëmshme për vendin.
Deri më tani janë plot nëntë deputetë të cilët e kanë deklaruar votën e tyre kundër.
E disa të tjerë, të cilët e kanë kundërshtuar këtë marrëveshje ende nuk e kanë bërë të ditur vendimin e tyre, duke pohuar se kjo do të bëhet e ditur në seancën e 1 shtatorit.
Kundër do ta jap votën dhe deputeti i pavarur Ramiz Kelmendi, i cili vjen nga rajoni i Dukagjinit.
Ai thotë se vota e tij do të shkojë kundër Demarkacionit, pasi që do t’i bashkohet shqetësimeve të ngritura nga bashkëvendësit e tij.
Edhe deputeti tjetër që prezantohet si i pavarur por që është anëtar i PDK-së, Shaip Muja, thotë se vota e tij për Demarkacionin do të jetë kundër.
Ai madje thotë se kundërshtimet me të mëdha për demarkacionin janë nga pozita dhe se në lidhje me këtë çështje nuk është as përkrahja e kabinetit qeveritar.
Edhe deputeti i LDK-së, Adem Salihaj, tashmë ka vendosur që të votojë kundër demarkacionit.
Salihaj thotë se bazuar në faktet dhe analizat për demarkacionin, ka ardhur në përfundim që të votojë kundër.
Kundër demarkacionit do të votojë edhe deputeti Raif Qela, i cili vjen nga Lëvizja për Bashkim, parti kjo që është në koalicion me PDK-në.
Qela ka thënë se votën e tij do ta jap kundër demarkacionit me Malin e zi.
Votën kundër e ka deklaruar edhe deputeti Nait Hasani. Ai ka deklaruar se tashmë dihet vendimi i tij të cilin e ka thënë shumë herë.
Kundër Demarkacionit do të votojë edhe deputetja Labinotë Murtezi-Demi nga Partia e Drejtësisë.
E kundër Demarkacionit do të jetë dhe vota e deputetit Gëzim Kelmendi.
Kelmendi thotë se mbetet i palëkundur në vendimin e tij, për të votuar kundër demarkacionit.
“Vendimi im është i palëkundur. Që nga viti 2011 unë kam thënë dhe nuk do ta votoj demarkacionin”, ka thënë ai.
Kundër e kanë deklaruar votën e tyre dhe deputetja e pavarur Margarita Kadriu dhe deputeti nga radhët e LDK-së, Shpejtim Bulliqi.
Ndërkaq Vjosa Osmani dhe Arben Gashi, nuk kanë preferuar të përgjigjen, se a do të votojnë kundër apo pro, kur demarkacioni të jetë në rend dite në seancë.
Ai ka thënë se mënyra si do të votojë do të merret vesh të enjten në seancë. E as Vjosa Osmani nuk ka preferuar të përgjigjet se si do të votojë nesër.
Edhe deputeti Anton Çuni, nuk e ka bërë të qartë votën e tij.
Megjithëse ishte raportuar se ai do të votojë kundër, Çuni thotë se vota e tij do të bëhet e ditur në seancën e 1 shtatorit.
E as ish shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, nuk ka preferuar të përgjigjet.
E vemja përgjigje e tij ka qenë që është në mbledhje dhe se nuk mund të flas për këtë çështje.
Ndërsa deputeti nga PDK, Rafet Rama, nuk ka treguar për qëndrimin e tij, pasi që ka thënë se nuk ka ftesë zyrtare se Demarkacioni do të jetë në seancën e 1 shtatorit.
E shumë deputetë të tjerë të partive në pushtet, nuk kanë preferuar t’u përgjigjen telefonatave të bëra nga KosovaPress, me qëllim që të mësohet se cili do të jetë qëndrimi dhe vota e tyre, në seancën e nesërme ku pritet të votohet demarkacioni me Malin e Zi.
Ndërsa as deputetët serbë të Kuvendit të Kosovës, nuk preferuan të flasin se a do të jenë të pranishëm nesër në seancë dhe se a do të votojnë pro apo kundër demarkacionit.
Të kontaktuar nga KosovaPress Nenad Rashiq dhe Sllavko Simiq, nuk u përgjigjen në pyetjet, me arsyetimin se janë të zënë, duke e bllokuar më vonë dhe qasjen në telefonat e tyre.
Ndryshe koalicioni qeverisës i ka 90 deputetë. Ndërsa për votimin dhe kalimin e demarkacionit duhen së paku 80 vota. /KP/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img