Votat me kusht dhe me postë do të numërohen gjatë ditëve të ardhshme.
Në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve (QNR), tashmë është duke arritur materiali i ndjeshëm zgjedhor nga të gjitha komunat e Kosovës, dhe deri në fund të ditës pritet që i gjithë ai material të arrij në këtë qendër.
Kështu ka bërë të ditur për KosovaPress, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi i cili tha se aktualisht në QNR është duke u bërë edhe skanimi i listave përfundimtare të votuesve në vendvotime.
“Aktualisht jemi në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve është duke u bërë pranimi i materialit të ndjeshëm zgjedhor nga të gjitha vendvotimet e Kosovës ku është mbajtur procesi zgjedhor. Shumë prej komunave tashmë kanë përfunduar dorëzimin e këtij materiali, ndërkaq kanë mbetur edhe të tjera dhe po besojmë që gjatë ditës së sotme do arrijmë të gjithë materialin e ndjeshëm zgjedhor. Krahas pranimit të këtij materiali po bëhet edhe skanimi i listave përfundimtare të votuesve nga vendvotimet, ky proces është i domosdoshëm para se të nisim një fazë të më vonshme dhe numërimin e votave me kusht dhe ato të personave me nevoja të veçanta”, u shpreh Elezi.
Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve pritet që brenda disa ditëve të nis numërimi i votave me kusht, të personave me nevoja të veçanta dhe votat që kanë arritur përmes postës.
“Sa i takon kohës se kur do fillojë numërimi i votave me kusht, i votave me nevoja të veçanta dhe votave përmes postës ne varemi nga procedura dhe dinamika e punëve që zhvillohen këtu në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, por shpresojmë se brenda pak ditësh do të arrijmë të gjitha këto punë në mënyrë që të fillojmë edhe numërimin të këtyre kategorive dhe votave jashtë vendit”, u shpreh zëdhënësi i KQZ-së.
Sipas Valmir Elezit aktualisht KQZ nuk i ka të dhënat se sa persona me nevoja të veçanta e kanë shfrytëzuar të drejtën për të votuar, apo sa është numri i votave me kusht, por që sipas tij këto të dhëna do bëhen të ditura pasi të mbaroj procedura e pranimit të materialit të ndjeshëm zgjedhor nga të gjitha komunat votuese në Kosovë.
Elezi tha se 2785 persona kanë qenë të regjistruar si persona me nevoja të veçanta, ndërsa Komisionit Qendror Zgjedhor ka pranuar 16 mijë pako të supozuara me fletëvotime.
“Sa i përket votave me kusht të cilat janë hedhur gjatë ditës së djeshme në vendvotimin e dyfishtë ne do ta dimë pasi të pranojmë të gjithë materialin e ndjeshëm zgjedhor dhe do kemi statistika për secilin komunë veç e veç. Sa i përket votave nga personat me nevoja të veçanta i cili zhvillohet si proces jashtë qendrave të votimit ku KQZ dërgon ekipet mobile për tu mundësuar qytetarëve që nuk mund të shkojnë në vendvotime për të votuar gjithashtu nuk i kemi të dhënat se sa është shfrytëzuar kjo mundësi, ne kemi të dhëna vetëm sa është numri i personave të regjistruar që kanë kërkuar këtë mënyrë të votimit”, tha ai.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi u shpreh optimist se brenda ditës së sotme do të përfundoi edhe publikimi i rezultateve preliminare të zgjedhjeve të djeshme ku deri më tani në web faqe janë publikuar vetëm 97 për qind e vendvotimeve.
Derisa thotë se deri shpallja e rezultateve përfundimtare për zgjedhjet e 6 tetorit varet nga procedura dhe dinamika e punëve në QNR.
“Sa i përket çështjes se kur KQZ do shpall rezultatet përfundimtare ne varemi nga procedurat dhe dinamika e punëve t cilat zhvillohen këtu në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve. Nuk duam të japim ndonjë afat kohor sepse krejtësisht kjo varet prej këto procedura dhe punët që zhvillohen këtu. Po shpresojmë që sa më shpejt që është e mundur të arrijmë që të shpallim rezultatet përfundimtare”, tha Elezi.
Aktualisht nga 97 për qind e votave të numëruara Lëvizja Vetëvendosje po prin me 200 mijë e 374 vota ose 25.60 për qind. LDK është në pozitën e dytë me 194 mijë e 778 vota ose 24.88 për qind, PDK radhitet në vendin e tretë me 164 mijë e 930 vota ose 21.07 për qind, e katërta koalicioni AAK-PSD me 90 mijë e 280 vota ose 11. 53 për qind, Lista Serbe ka marr 52 mijë e 529 vota ose 6.71 për qind ndërsa subjektet tjera mbi 10 për qind të votave.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se numri i qytetarëve më të drejtë vote që kanë votuar është 812.049 apo përkthyer në përqindje 44.18 për qind.
Ndryshe, qytetarët patën mundësi të zgjedhin në mesin e 25 subjekteve politike dhe me mbi 1000 kandidatë për deputetë të cilët për dhjetë ditë gjatë fushatës zgjedhore shpalosën programin e tyre.