Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se sulmi i 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ishte ngjarje e tmerrshme.
Këto komente, ajo i bëri në Tiranë gjatë konferencës për media bashkë me kancelarin gjerman, Olaf Scholz dhe kryeministrin Edi Rama.
Von der Leyen dhe Scholz u pyetën nëse institucionet e BE-së do të marrin masa ndaj Serbisë dhe presidentit të saj, Aleksandar Vuçiq pas këtij sulmi terrorist.
“E dënojmë fuqishëm sulmin e tmerrshëm të 24 shtatorit. Aktualisht jemi në proces të mbledhjes së fakteve për atë sulm, dhe në bazë të atij hetimi, ne do të vendim për hapat tjerë, në bashkëpunim të ngushtë me shtetet anëtare”, deklaroi ajo, raporton Klankosova.tv.
Ndërkaq, kancelari gjerman tha se i dënojnë si BE, dhe si Gjermani, të gjitha aktivitetet e dhunshme në veri të Kosovës.
“E dënojmë vërtetë sulmin ndaj policëve dhe të gjitha aktivitetet që i pamë në Kosovë, duke sulmuar institucionet dhe njerëzit. Janë gjëra që s’do t’i pranojmë, dhe është e qartë që BE-ja, shtetet anëtare dhe Gjermania, janë të qartë në këtë pikë”, tha Scholz.
Duke folur për rastin e 24 shtatorit në Banjskë, ai tha se “kemi kërkuar për hetim shumë intensiv dhe presim pjesëmarrje të të gjithëve në këtë dhe të mbështesin këtë hetim që është duke u bërë nga institucionet e Kosovës”.
“Është qenësore që autoritetet serbe të bashkëpunojnë me Kosovën në këtë pikë, që mendoj se është shumë mirë nëse kjo do të ndodhte”, deklaroi kancelari Olaf Scholz. /Klankosova.tv