Site icon PrishtinaPress

Von der Leyen do ta vizitojë Ballkanin javën e ardhshme, kjo është dita kur vjen në Kosovë

Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, do t’i vizitojë javën e ardhshme gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën, për të shprehur përkushtimin e saj dhe të komisionit për angazhim në afrimin e rajonit drejt Bashkimit Evropian.

Von der Leyen, e cila në verë u rizgjodh për një mandat të ri pesëvjeçar, ka paralajmëruar se procesin e zgjerimit e ka ndër prioritetet kryesore dhe për këtë e ka caktuar një komisionare, e cila do të merret vetëm me zgjerimin e bllokut.

Sipas paralajmërimeve nga KE-ja, gjatë vizitës në rajon, Von der Leyen do të përqendrohet më së shumti në ndihmën që BE-ja po u jep vendeve të rajonit për përshpejtimin e reformave dhe përgatitjeve për përparim më të shpejtë në procesin e integrimeve evropiane.

Von der Leyen do ta nisë turneun e saj në rajon të mërkurën, më 23 tetor, me ndalesën e parë Shqipërinë, ku do të takohet me presidentin Bajram Begaj dhe kryeministrin Edi Rama. Ajo do të marrë pjesë edhe në përurimin e Kampusit të Kolegjit Evropian në Tiranë.

Më 24 tetor, do të shkojë në Maqedoninë e Veriut dhe në Bosnje e Hercegovinë. Në Bosnje, ajo do t’i vizitojë edhe zonat e goditura nga përmbytjet e 4 tetorit, dhe do të shpreh gatishmërinë e BE-së për të ndihmuar në përballje me pasojat.

Në Serbi, Von der Leyen do të qëndrojë më 25 tetor, ku do të takohet me presidentin serb Aleksandar Vuçiq.

Von der Leyen do të udhëtojë pastaj për vizitë në Kosovë, të shtunën e 26 tetorit, ku do të takohet me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

Vizitën në rajon ajo do ta përfundojë me takimin me liderët e Malit të Zi të shtunën në Podgoricë, raporton REL.

Exit mobile version