Bashkimi Evropian nuk do të financojë tela me gjemba dhe mure në kufij për të parandaluar ardhjen e emigrantëve, siç kërkohet nga dymbëdhjetë vende, përfshirë Lituaninë dhe Austrinë, deklaroi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
“Jam shumë e qartë se ekziston një qëndrim i përbashkët prej kohësh i Komisionit dhe Parlamentit Evropian, se nuk do të ketë financime për telat me gjemba dhe muret”, tha kreu i ekzekutivit evropian, në fund të samitit të të 27-ve në Bruksel, ku u diskutua çështja.
Ministrat e Brendshëm nga 12 vende (Austria, Bullgaria, Qipro, Danimarka, Estonia, Greqia, Hungaria, Lituania, Letonia, Polonia dhe Republika Çeke, Sllovakia) i shkruajtën më 7 tetor Komisionit duke i kërkuar BE-së të financojë ndërtimin e gardheve të tilla.
“Një pengesë fizike duket të jetë një masë efektive e mbrojtjes së kufirit, që u shërben interesave të të gjithë BE-së, jo vetëm të vendeve anëtare të vijës së parë”, argumentuan ata, raporton ATSh.
Komisionerja për Punët e Brendshme, Ylva Johansson, më pas u përgjigj se vendet kishin “mundësinë dhe të drejtën për të ndërtuar gardhe, por nëse duhet të përdorim fondet evropiane, të cilat janë të kufizuara, për të financuar ndërtimin e gardheve në vend të gjërave të tjera po aq të rëndësishme, kjo është një çështje tjetër”, u mjaftua të sqarojë ajo.
Polonia, ashtu si Lituania, ka filluar të ndërtojë një gardh me tela me gjemba në një pjesë të kufirit të saj me Bjellorusinë.
Hungaria, nga ana e saj, e ngriti këtë lloj pengese në kufirin me Serbinë dhe Kroacinë (një vend anëtar i BE-së, por që nuk është në Shengen) gjatë krizës së migracionit të vitit 2015.
Sllovenia bëri të njëjtën gjë me Kroacinë.