Site icon PrishtinaPress

Von Cramon: Ridefinimi i kufijve në Ballkanin Perëndimor nuk është zgjidhje

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, ka thënë se ridefinimi i kufijve në Ballkanin Perëndimor nuk është zgjidhje dhe kjo nuk mund ta ndihmojë askënd, por do të krijonte probleme edhe më të mëdha.

Ajo ka komentuar propozimin e pretenduar të kryeministrit slloven Janez Jansha për rishikimin e kufijve në Ballkan, si dhe pretendimet se ai do të përfshinte krijimin e një “Serbie të Madhe” dhe një “Shqipërie të Madhe”.

“Duke qenë se kryeministri slloven nuk është i njohur për propozime serioze politike, ky do të mund të bëhej një debat shumë i rrezikshëm”, ka deklaruar Von Cramon për portalin “KosovoOnline”.

Ajo deklaroi se kolegët e saj në Parlamentin Evropian janë të shqetësuar për procesin e vazhdueshëm të shpërbërjes në vendet e Ballkanit Perëndimor, veçanërisht në Bosnjë dhe Hercegovinë, dhe shprehimisht vuri në dukje se nuk ka asnjë ndryshim të ri të kufijve.

“Këto ndarje dhe retorika nacionaliste nuk janë kurrë të lidhura me njerëzit. Kemi parë se retorika të tilla çfarë kanë krijuar në historinë ton”, tha Viola von Cramon, duke shtuar se qeveritë dhe politikanët duhet të synojnë të krijojnë institucione funksionale dhe shtete që do t’u shërbejnë të gjithë qytetarëve, pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike.

Sipas saj, ka probleme serioze në Bosnjë dhe Hercegovinë, por këto probleme nuk janë rezultat i ndonjë bashkëjetese të detyruar të grupeve të ndryshme etnike, por dështimi i elitave politike dhe mungesa e veprimit të tyre.

“Kryeministri Jansha duhet të përmbahet nga ‘non- paper’ të tillë. Ata nuk janë në përputhje me vlerat evropiane”, theksoi Von Cramon.

Ajo tha se shpreson që kjo përmbajtje [e dokumentit të pretenduar të kryeministrit slloven] të mos jetë afër diskutimit apo edhe zbatimit.

“Ajo që ne presim nga presidenca sllovene e BE do të jetë finalizimi i liberalizimit të vizave për Kosovën, dhe jo rihapja e Kutisë së Pandorës me një debat tjetër të rrezikshëm në lidhje me një ndryshim të mundshëm të kufijve”, përfundoi Viola von Cramon.

Reagimi i Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, vjen pasi mediat në Bosnjë dhe Hercegovinë, duke cituar burime të paemërtuara në Bruksel, kanë shkruar të hënën se kryeministri slloven Janez Jansha i ka dorëzuar Presidentit të Këshillit Europian, Charles Michael një dokument ‘non paper’ mbi prioritetet e presidencës sllovene të BE-së, në të cilat, siç thuhet, janë përcaktuar udhëzimet mbi “shpërbërjen përfundimtare të Jugosllavisë”.

Me këtë, sipas medieve, pretendohet se Jansha donte të informonte kreun e Këshillit Evropian për një nga prioritetet  e presidencës së Bashkimit Evropian, të cilin do ta marrë Sllovenia nga 1 korriku i këtij viti.

Exit mobile version