Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, vlerëson se zgjedhjet e ardhshme në Serbi dhe Kosovë do të ndikojnë në dialogun e Brukselit dhe thotë se të dy udhëheqësit, Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq, do të jenë të kujdesshëm në lëvizjet e tyre drejt votuesve deri në fund të zgjedhjeve.
“Ky është proces shumë i gjatë dhe ne e vërejmë që do kemi zgjedhje në të dy vendet. Gjatë asaj periudhe, është shumë e vështirë që opinioni vendor të pajtohet për disa reforma më të thella ose ndryshime të mëdha. Në këtë drejtim, unë shoh që ka përparim. Të dy udhëheqësit po takohen, dhe unë do ta quaja këtë sukses. Ne duhet të shohim nëse po bëjmë përparim dhe ne në BE do të donim që të ishte më i shpejtë”, tha ajo.
Duhet kujtuar se vazhdimi i dialogut midis Kosovës dhe Serbisë pritet të ndodhë në shtator në Bruksel.
Ajo, për televizionin serb “N1”, tha se udhëheqësit e dy vendeve do të jenë shumë të kujdesshëm për shkak të zgjedhjeve të ardhshme, si dhe se do të ketë një “periudhë më të lehtë për dialog” pas zgjedhjeve.
“Unë pres që Vuçiq dhe Kurti të tregojnë lidership, sepse të dy liderët kanë mbështetje të konsiderueshme në parlament dhe te votuesit… Qëllimi i negociatave nuk është të vendosen parakushte dhe të thuhet se çfarë kërkohet dhe pritet nga dikush, por të shikohen hapat individualë dhe rezultatet”, ka thënë ndër të tjera ajo.
Teksa foli për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, ajo potencoi se tensionet lidhur me këtë çështje tek popullata po rriten, teksa theksoi se Kosova është zotuar për zbatimin e saj.