Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka thënë se propozimin e idesë franko-gjermane, e sheh sikurse një mundësi të mrekullueshme për Kosovën drejt integrimit evropian.
Sipas von Cramon, marrëveshja në fjalë, ka shumë detaje dhe mund t’i mundësojë Kosovës të shohë se çfarë i duhet për t’u parë sikurse një anëtare e plotë në BE.
“Kjo është një mundësi shumë e mirë, do të thosha një marrëveshje kogja progresive. E shoh këtë si një mundësi të mrekullueshme për Kosovën drejt rrugës për në integrimin evropian. Ka shumë përmbajtje, shumë detaje që mund t’i tregojnë Kosovës se çfarë i duhet që të njihet si një anëtare e plotë”, ka deklaruar Von Cramon për Gazetën inFokus.
Krahas kësaj, ajo ka thënë se është në interesin e Kosovës të veprohet tani nga ana e Qeverisë, dhe të mos presë deri në kohën që Spanja të ketë presidencën e radhës vitin e ardhshëm.
“Duhet që qeveria të veprojë tani dhe të mos presë që Spanja të ketë presidencën tjetër në vitin tjetër. Është në interesin e Kosovës të ecë përpara”, ka deklaruar von Cramon, gjersa ka theksuar se “ky është propozimi më i mirë që kemi pasur deri më tani”./Prishtinapress/