1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Buy now

spot_img

Von Cramon: Me planin evropian, Serbia e njeh Kosovën

Raportuesja për Kosovën në PE, Viola von Cramon, nga seanca ku u diskutua për Kosovën në Parlamentin Evropian, tha se një element qenësor në rrugën e integrimit evropian për Kosovën, është dialogu i lehtësuar nga BE-ja, i cili, sipas saj, kushtëzon anëtarësimin në BE për të dy vendet.

Ajo theksoi se çështja e anëtarësimit të të dyja vendeve në familjen evropiane është qartësuar nga shumë prej komunitetit ndërkombëtar.

“Më lejoni të ritheksoj edhe një herë se sa i rëndësishëm është ky momentum dhe përpjekjet e përbashkëta të BE-së dhe SHBA-së për t’i çuar përpara gjërat në dialogun me Serbinë”.

“Të gjithë e dimë se pa një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht obliguese për normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, pranimi në Union nuk do të ndodhë për asnjërën nga vendet. Do të doja të shihja përfundim të suksesshëm në dialog, ku të gjitha çështjet e mbetura do të zgjidhen – ose të themi, pothuajse të gjitha, dhe më pas, shpresoj të zbatohen”, deklaroi von Cramon, raporton Klankosova.

Kosova, tha ajo, është vend i pavarur dhe ky proces është i pakthyeshëm, ndërsa shtoi se Serbia duhet të pajtohet me këtë.

Raportuesja për Kosovën tha se plani i ri franko-gjerman i BE-së e thotë këtë pothuajse qartë.

“Me këtë, Serbia do t’ju njohë juve dhe gjithçka, por pa e thënë me zë të lartë se e ka bërë këtë. Dialogu ngre shumë çështje të ndjeshme dhe i kuptoj plotësisht se brengat tuaja për rezultatin mund të ndikojë në disa marrëveshje të mëhershme. Megjithatë, marrëveshjet tashmë të arritura duhet të respektohen dhe zbatohen ligjërisht. Kosova nuk duhet të lejojë të jetë pala që pengon nënshkrimin e marrëveshjeve”, deklaroi von Cramon.

Ajo kërkoi nga institucionet e Kosovës të demonstrojnë lidership dhe të gjejnë mënyra për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të dala nga dialogu.

“Ju lutem të jeni proaktivë dhe dilni me propozimet tuaja se si e shihni fundin. Natyrisht se ndryshimet duhet të bëhen brenda kornizës kushtetuese të Kosovës dhe rendit të saj [saj=Kosovës, shën. red.] ligjor. Prapë, gjetja e një mënyre për të akomoduar do të çojë pashmangshëm në një hap të madh më afër përfundimit të dialogut dhe finalizimit të këtij procesi të gjatë. Më lejoni të jem shumë e qartë edhe një herë: ka bashkëpunim të plotë dhe sinkronizim transatlantik për dialogun. Kosova duhet ta shfrytëzojë këtë frymë të re mundësie me aleatët e saj për të shtyrë një zhvillim vendimtar të dialogut dhe Parlamenti Evropian është i gatshëm gjithmonë ta ndihmojë dhe ta monitorojë nga afër këtë në periudhën e ardhshme”, potencoi eurodeputetja Viola von Cramon.

Më tej, ajo tha se dialogu në Bruksel kërkon vullnet të fortë politik, dhe u shpreh e bindur se Kosova do ta kryejë punën e saj, jo pse e kërkon BE-ja, por për shkak të qytetarëve të saj.

“Ju, siç e dini mirë, keni një aleat të fortë këtu me ne në PE, dhe natyrisht me mua personalisht, dhe siç e kam theksuar vazhdimisht, nevoja për liberalizim të menjëhershëm të vizave, i cili është vonuar shumë, pavarësisht faktit se i keni plotësuar të gjitha kriteret. Dua të shoh frytshmërinë e përpjekjeve tona të përbashkëta në të ardhmen sepse qytetarët e Kosovës meritojnë të jetojnë në një vend që gëzon respekt të plotë ndërkombëtar dhe perspektivë të qartë evropiane”, deklaroi në fund të fjalës së saj, raportuesja për Kosovën në PE, Viola von Cramon.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img