Sot në Parlamentin Europian do të diskutohet për raportin e Komisionit Europian për Kosovën të vitit të kaluar. Raportuesja për Kosovën në PE, Viola von Cramon, do ta paraqesë këtë rezolutë. Përveç rezolutës për Kosovën, në seancën e sotme plenare në Strasburg do të diskutohet edhe për Serbinë.
Votimi për këto rezoluta pritet të bëhet të mërkurën.
Në raportin që do të paraqesë Cramon, të publikuar në faqen e BE-së, thuhet se ajo do të kërkojë që PE të miratojë edhe një paragraf ku i kërkohet Serbisë që të heqë votën e saj kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Europës, duke theksuar që kjo bie ndesh me Marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë.
“Shpreh keqardhje që Kosova është aktualisht e vetmja demokraci europiane që nuk është ende anëtare e Këshillit të Europës; i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të ushtrojë presion ndaj Serbisë që të përmbahet nga përpjekjet për të izoluar vendin fqinj Kosovën nga skena ndërkombëtare duke bërë fushatë kundër njohjes së saj ose duke e përjashtuar vendin nga organizatat ndërkombëtare; i bën thirrje Serbisë të heqë votën e saj bllokuese që e ndalon Kosovën të jetë anëtare e Këshillit të Europës dhe organizatave të tjera ndërkombëtare, gjë që përndryshe do të binte ndesh me Marrëveshjen e vitit 2013 ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve; vë në pah se serbët e Kosovës do të përfitonin nga anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Europës, pasi kjo do t’u lejonte serbëve të Kosovës të paraqesin ankesa për të drejtat e njeriut në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, thuhet mes tjerash në këtë raport që do të prezantojë Cramon.
Po ashtu, mirëpritet edhe aplikimi i Kosovës në Bashkimin Europian.
“Mirëpret deklaratat mbështetëse për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE nga përfaqësuesit qeveritarë nga Austria, Kroacia, Çekia, Estonia, Finlanda, Gjermania, Italia, Lituania, Holanda dhe Suedia”.
Në këtë raport i bëhet thirrje shteteve anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur ende Kosovën si shtet sovran, Spanjës, Sllovakisë, Qipros, Rumanisë dhe Greqisë, ta bëjnë këtë pa vonesë të mëtejshme dhe kështu ta lejojnë Kosovën të përparojë në rrugën e saj europiane në baza të barabarta me vendet kandidate.
Ndërkaq, Serbisë pritet t’i kërkohet që t’i përshtatë qëndrimet e saj në politikën e jashtme me ato të BE-së, përfshirë këtu edhe vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë.
Të dyja vendeve i kërkohet që t’i zbatojnë obligimet e marra nga marrëveshjet e arritura dhe se normalizimi gjithëpërfshirës i raporteve do të arrihet përmes njohjes së ndërsjellë.