Bashkëpunëtori i Këshillit për Politikat e Demokratizimit në Bruksel, Toby Vogel, ka komentuar mbi ndikimin e administratës Trump dhe zhvillimet në dialogun Kosovë-Serbi.
Vogel shprehu skepticizëm për përparësinë që administrata amerikane i jep kësaj çështjeje.
Ai paralajmëroi se ideja e shkëmbimit të territoreve mund të rikthehet në agjendë sapo të konsolidohet ekipi i nivelit të mesëm në Departamentin e Shtetit.
“Unë dyshoj se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është në listën e prioriteteve të administratës Trump. Mendoj se pasi të jetë krijuar personeli i nivelit të mesëm në Departamentin e Shtetit, nuk do të përjashtoja që ideja e ‘shkëmbimit të territoreve’ – domethënë, ndarja e Kosovës – do të kthehej,” deklaroi Vogel.
Sipas tij, mungesa e një ndryshimi thelbësor në qasjen perëndimore ndaj dialogut ka krijuar një situatë ku Beogradi nuk ka asnjë nxitje për kompromis, gjë që ndikon edhe në qasjen e Prishtinës.
“Nuk mendoj se problemi kryesor mes Serbisë dhe Kosovës qëndron tek qeveria në Kosovë. Sigurisht, një qeveri që punon për marrëdhënie më të mira me aleatët perëndimorë do të ishte e dobishme, por ndryshimi i madh në qasjen perëndimore mbetet i vështirë për t’u arritur”, deklaroi Vogel për telegrafin.
Në administratën e parë të Trumpit, nga viti 2017 deri më 2021, ka pasur disa zyrtarë, si këshilltari i atëhershëm për siguri kombëtare, John Bolton, që nuk e kanë përjashtuar opsionin e “korrigjimeve territoriale” mes Kosovës dhe Serbisë.
“Ne nuk do të jemi pengesë dhe nuk mendoj se dikush në Evropë do të qëndrojë në mes, nëse dy palët në konflikt arrijnë një marrëveshje të kënaqshme”, ka thënë Bolton në gusht të vitit 2018.
Këto ide, si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi kanë hasur në reagime për dhe kundër.
Edhe aleatët kryesorë të Kosovës në Evropë, Britania dhe Gjermania, kanë thënë se thirrjet për ndryshim të kufijve të Ballkanit mund të sjellin destabilizim.