Ish-ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, i ka reaguar ministrit të Brendshëm të Serbisë, Aleksander Vulin, pasi tha deklarata fyese për presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin.
Çitaku, me anë të një postimi në llogarinë e saj në ‘Twitter’, i ka cilësuar këto deklarata “të neveritshme”, pasi Vulin përdori fjalë fyese për përshkrimin fizik të presidentes.
“Krejtësisht e neveritshme”, ka shkruar Çitaku në ‘Twitter’.
Sot gjatë ditës, Vulin e nxori nga konteksti deklaratën e Osmanit për revistën “Der Spiegel”, dhe si kundërpërgjigje e fyu atë.
“Nëse Osmani do të kishte fytyrë siç e ka barkun, për gënjeshtrat që thotë, gjatë do të përkulej para ‘shtëpisë së verdhë, citohet të ketë thënë Vulin, sipas medieve serbe.
Kjo fyerje e Vulin, erdhi pasi gazetari i ‘Der Spiegel’ kishte insistuar duke pyetur Osmanin se pse e përdor termin gjenocid për krimet që ka kryer Serbia.
“E kam zgjedhur nocionin gjenocid me vetëdije. Ai përshkruan qëllimin e një vendi për të shfarosur një komb. Dhe pikërisht kjo ka ndodhur në Kosovë. E kam fjalën për ngjarjet në Mejë, e njohur si ‘Srebrenica e Kosovës’, dhe në Poklek, ku jo vetëm janë vrarë 54 fëmijë dhe plaka, por pastaj edhe janë djegur. Qëllimi ka qenë që të zhduken nga faqja e dheut. Ëilly Brandt ka thënë njëherë se kur mungojnë fjalët, duhet rënë në gjunjë. Pikërisht këtë e presim nga Serbia: rënien në gjunjë”, ishte përgjigjja e Osmanit.