Site icon PrishtinaPress

Vllasi këshillon Kurtin: Nuk është koha që amerikanëve “t’ua tregojmë dhëmbët”, sikur xhaxhi Enver në kohën e vet

Analisti politik dhe avokati i njohur, Azem Vllasi ka këshilluar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin që të mos i acaroj raportet me miqtë tanë perëndimor.

Vllasi ka thënë se nuk është koha që amerikanëve në këtë çështje siç thotë ai banale “t’ua tregojmë dhëmbët sikur xhaxhi Enver në kohën e vet.

“Me barikadimin e kryetarëve të tri komunave veriore në zyra ose gjetiu, e pa mundësi që ata t’i kryejnë punët për cilat janë zgjedh, nuk ndryshon gjendja atje. Ka vetëm tensione. Nuk ia vlen që Kryeministri Kurti për këtë t’i acaroi raportet me miqtë tanë perëndimor. Nuk është koha që Amerikanëve në këtë çështje banale t’ua “tregojmë dhëmbët” sikur xhaxhi-Enver në kohën e vet nga Shqipëria hermetikisht e mbyllur. Çështja qëndron te Asociacioni i komunave me shumicë serbe”, ka thënë ndër të tjera Vllasi për IndeksOnline.

Më tutje, ai ka thënë se të gjithë këto zhvillime në veri dirigjohen nga Beogradi. Kjo, sipas Vllasit, duhet të jetë ekskluzivisht punë dhe obligim i brendshëm i Kosovës që del nga Plani gjithëpërfshirës i Ahtisarit përbrenda cilit është shpallë Kosova shtet i pavarur, e të cilin Serbia nuk e ka pranuar.

“Asociacioni duhet të jetë si formë e bashkëpunimit mes komunave me shumicë serbe lidhur me disa çështje në interes të tyre, e përbrenda sistemit kushtetues-juridik të Kosovës. Statutin për këtë Asociacion duhet t’a bëjë Qeveria e Kosovës e jo as Beogradi as Edi Rama dhe askush tjetër. Pastaj shumëçka do të normalizohet edhe në veri të Kosovës edhe me komunitetin serb në Kosovë. Derisa pushteti i Beogradit të trajtohet si partner lidhur me çështje të brendshme të Kosovës, kurrë normalizim mes dy shteteve nuk do të ketë dhe Serbia do t’i instrumentalizoi Serbët këtu për interesat dhe pretendimet e veta kundër Kosovës qoftë edhe në dëm të vet atyre”, ka përfunduar Vllasi./IndeksOnline/

Exit mobile version