Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pas takimit vjetor të krerëve të shteteve të rajonit në kuadër të Procesit të Bërdo-Brionen, ka thënë se gjatë takimit nuk është diskutuar çështja e deeskalmit të situatës në veri dhe as masat e vendosura nga Bashkimi Evropian për Kosovën, por theksoi se këto tema janë diskutuar në takimet bilaterale që kishte.
Ajo tha se me presidentin e Kroacisë diskutuan për deeskalmit të situatës në veri të vendit dhe mbi të gjitha që BE t’i largojë masat për Kosovën të cilat janë jopropercionale. Sipas saj, pritet nga shtetet që përkrahin Kosovën, siç është Kroacia të ndërmarrin hapat ndër të parat për të iniciuar largimin e këtyre masave.
Osmani tha se gjatë këtij takimi është diskutuar ishin integrimi evropian, çështjet klimatike dhe problemet me të cilat po përballemi si rajon dhe problemin e ikjes së të rinjve.
“Sa i përket integrimit evropian është synim i përbashkët që të kemi proces të përshpejtuar për vendet e Ballkanit perëndimor, duke u bazuar në meritokraci. Natyrisht viti 2023 që tashmë është vënë si lloj synimi nga presidenti i Këshillit është synim i rëndësishëm por ishte dakordim i të gjithëve që ai vit duhet të jetë viti më i fundit që synojmë, pra disa prej nesh që jemi shumë më përpara me reforma, synojmë që të ecim përpara shumë shpejt, por ka ardhë koha që të shohim edhe hapa konkret nga Bashkimi Evropian sa i përket procesit të anëtarësimit të shteteve demokratike të Ballkanit Perëndimor sepse fatkeqësisht siç e keni parë në procesin e liberalizimit të vizave, edhe pse i ndarë, është dëshmuar që shpeshherë edhe pse plotësohen kriteret, përgjigja apo veprimi nga ana e BE-së, është shumë e vonshme”, tha ajo, duke shtuar se ka qenë takimi më konstruktiv që kanë pasur ndonjëherë.
Ajo është pyetur nëse në këtë takim ka kërkuar një deklaratë të përbashkët për deeskalimin e situatës në veri, si dhe largimin e masave të vendosura ndaj Kosovës.
“Deeskalimi nuk është temë që varet nga shumica dërmuese e presidentëve që ishin ulur rreth kësaj tavoline. Në fakt eskalimi i situatës është shkaktuar siç e dini për shkak të strukturave ilegale të dhunshme të cilat i marrin urdhëratë në Beograd. Pra, sa i përket shteteve të Bashkimit Evropian, që në këtë rast ishin Sllovenia dhe Kroacia, ato kanë mbajtur qëndrimin e tyre brenda shteteve të BE, së dhe kërkesat janë të qarta. Unë i kam diskutuar në takime bilaterale këto çështje, që kisha me presidentin Pendarofci, ku e informova me hapat që Republika e Kosovës i ka ndërmarrë për shtensionim të situatës por edhe sfidat me të cilat po përballemi. Po ashtu, edhe me presidentin e Kroacisë diskutuam për këtë temë dhe mbi të gjitha diskutuam që BE t’i largoj masat për Kosovën të cilat janë jopropercionale dhe ne presim nga shtetet që nga përkrahin, siç është Kroacia të ndërmarrin hapat ndër të parat për të iniciuar largimin e këtyre masave“, tha ajo.
Osmani duke mos dashur të flas për ndryshimet kushtetuese në Maqedoni të Veriut, theksoi se shqiptarët në Maqedoni të Veriut do të vazhdojnë ta luajnë rolin pozitiv për ta shtyrë shtetin përpara drejt integrimeve evropiane. /KP