Site icon PrishtinaPress

Vjosa Osmani niset për dy ditë vizitë në Shqipëri, agjenda e ngjeshur përfshin darka e dreka shtetërore te Begaj e Rama

Presidentja Vjosa Osmani ka udhëtuar drejt Shqipërisë për një vizitë dyditore.

Osmani shkon në Tiranë me ftesë të presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj dhe atje do të pritet me nderime të larta shtetërore.

“Përveç takimit tête à tête, të dy presidentët do të takohen edhe me delegacione”, njofton Presidenca.

Pas takimit, të dy presidentët do ta mbajnë një konferencë të përbashkët për media, ndërkaq në mbrëmje Begaj do të shtrojë darkë shtetërore për Osmanin dhe delegacionin nga Kosova.

Osmani në këtë vizitë do të shoqërohet nga Zotëria i Parë Prindon Sadriu, i cili, siç njoftohet, “gjatë ditës do të vijojë me agjendë të përbashkët me Zonjën e Parë të Shqipërisë, Armanda Begaj”.

“Gjatë kësaj vizite, Presidentja Osmani do të takohet edhe me kryeministrin e Shqipërisë, z. Edi Rama. Pas takimit, Presidentja me delegacionin e saj do të priten në drekë zyrtare nga Kryeministri Rama. Presidentja poashtu do të pritet në takim edhe nga Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Znj.Lindita Nikolla”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Në agjendën e Osmanit është edhe një aktivitet i përbashkët i dy presidentëve me rastin e Ditës së Nënë Terezës në ekspozitën e Arkivave në Presidencën e Shqipërisë. Poashtu, në Tiranë Presidentja do të ketë edhe një takim me grupin e grave deputete, vizitë te Muzeu i Gjetheve dhe aktivitete të tjera.

“Në kuadër të kësaj vizite shtetërore, Presidentja Osmani në një ceremoni do t`ia dorëzojë dekretin e nënshtetësisë së Kosovës, shkrimtarit me famë botërore, Ismail Kadare”.

“Agjenda do të vijojë në qytetin e Beratit, ku pas takimit me kryetarin e Bashkisë, Ervin Demo, Presidentes do t`i dhurohet titulli më i lartë i qytetit “Patroni i Kalasë”, e më pas do të vizitohen Kisha e Shën Mërisë dhe Muzeu Onufri”, thuhet në njoftim.

Në Durrës ndërkaq, Osmani do ta ketë një takim me kryebashkiaken e Durrësit, Emiriana Sako, do ta vizitojë Torrën Veneciane dhe Zyrën Doganore të Kosovës në Portin e Durrësit.

Exit mobile version