Site icon PrishtinaPress

Vjen deklarata e Top Channel për sulmin terrorist

Në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme, e hënë 27 mars 2023, Top Channel është goditur nga një sulm terrorist, i pandodhur kurrë më parë në 32 vite ndërtim të shtetit të së drejtës dhe fjalës së lirë.

Pasojë e këtij sulmi ishte humbja e jetës së punonjësit të sigurisë, Pal Kola, i cili i ka qenë në krye të detyrës, pjesë e stafit të shoqërisë së sigurisë “Öktapus”.

Në orën 00.40, i ndjeri Pal Kola është gjendur në qendër të breshërisë me 25 plumba në drejtim të godinës së Top Channel.

Humbja e jetës së familjarit, të babait e bashkëshortit Pal Kola në krye të detyrës, është tronditja dhe goditja më e madhe për Top Channel.

Ngushëllojmë me hidhërim të thellë familjen Kola, duke qëndruar pranë tyre në përballimin e kësaj fatkeqësie.

Po ashtu, Top Channel shpreh qartësinë që ky akt terrorist i paprecedent, është kryer për të dëmtuar e goditur misionin e medias së lirë dhe fuqisë së fjalës së lirë.

Top Channel, është themeluar, krijuar me frymën e njeriut që ndërtoi jo vetëm idenë e një media shqiptare me vlera perëndimore, por dhe mbi të gjitha e një media që përfaqësohet nga grupi i madh i profesionistëve të shquar, figurave publike dhe intelektuale, që çdo ditë ne një transmetim të pandalshëm televiziv e jo vetëm, i shërbejnë publikut me dedikim të plotë.

Sulmet terroriste të këtij lloji tregojnë qartazi sa e rëndësishme është fjala e lirë sa shqetësuese për minuesit e demokracisë.

Në emër të detyrës më të lartë të cilës i kemi shërbyer, Top Channel do të vijojë të trashëgojë dhe të kryejë misionin e vet të fjalës së lirë ndaj publikut e shoqërisë shqiptare.

Në emër të këtij misioni, Top Channel kërkon dhe pret zbardhjen e plotë të ngjarjes nga organet ligjzbatuese.

Zbardhja e këtij akti duhet të jetë prioritet për organet ligjzbatuese, sepse është vrarë një punonjës i Top Channel, por gjithashtu është atentat ndaj televizionit që ka shërbyer në transparencë e mbështetjen e të drejtës duke kontribuar me informacion e ndërgjegjësim dhe fuqizim të institucioneve të së drejtës për shoqërinë shqiptare.

Ky akt terrorist është i papreçedent ndaj një media kombëtare, e lidhet vetëm me misionin e saj të fjalës së lirë.

Top Channel, aksionerët e tij e familjarët, drejtuesit, gazetarët e autorët, nuk kanë e nuk ka qënë kurrë objektiv i ndonjë sulmi individual që prej themelimit të tij, gjithçka në këtë akt terrorist, lidhet dhe ka të bëjë vetëm me misionin e Top Channel.

Ky krim i paprecedentë e akt terrorist, kërkon menjëherë reagim të përgjegjshëm e të ashpër nga Policia e Shtetit dhe institucionet e drejtësisë, për të vënë përpara përgjegjësisë autorët e vrasjes.

Top Channel, është e do të jetë, në shërbim të publikut shqiptar, pavarësisht presioneve të vazhdueshme të minuesve të demokracisë, të cilat i njohin dhe përballojnë të gjitha mediat e lira që adhurojnë e ndërtojnë përkrah vlerave perëndimore për ndërtimin e institucioneve dhe principeve të shoqërisë shqiptare./PrishtinaPress/

 

Exit mobile version