Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, që po shkaktojnë ankth e pasiguri, sidomos kur shtëpitë mbesin pa përkujdesje. Kështu ka ndodhur edhe mbrëmë në një banesë në Mitrovicë.
Sinjali mëson se rasti ka ndodhur pas mesnate kur persona të panjohur kanë hyrë me forcë brenda banesës ku kanë arritur që të marrin para të gatshme dhe stoli të ndryshme në vlerë të rreth 1 mijë eurove.
Mungesën e parave dhe gjësendeve me vlerë e ka vërejtur pronari i shtëpisë i cili menjëherë ka denoncuar rastin në Polici.
Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit dhe në identifikimin e personave të dyshuar. Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar ‘Vjedhje e rëndë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen të dyshuarit.