Site icon PrishtinaPress

Vizita në Maqedoninë e Veriut e ftoh Kurtin me Kovaçevskin, kryeministrat e shmangin njëri-tjetrin

Vizita “private” e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në Maqedoninë e Veriut, duket se ka lënë shije të hidhur në raportin e tij me zyrtarët maqedonas. Kurti pardje ka shkuar në Slloveni, në Forumin e Bledit, sikur edhe kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, por nga atje nuk pati fotografi ku dy liderët ia shtrëngojnë duart njëri-tjetrit e as ndonjë takim bilateral. Ata mbajtën të njëjtin qëndrim edhe para një jave në Athinë.

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski duket se e injoruan njëri-tjetrin në Forumin Strategjik të Bledit. Ndonëse të dy qëndruan në të njëjtin vend në Bled të Sllovenisë bashkë me liderët e tjerë të rajonit, ata as të dielën, as dje dhe as sot nuk u panë duke i shtrënguar duart, as duke komunikuar dhe as qoftë thjesht duke qëndruar përballë njëri-tjetrit nën shoqërinë e të pranishmëve tjerë.

Kështu u sollën edhe 21 gusht në Athinë, ku kishin shkuar për një darkë joformale me liderët e rajonit, të ftuar nga kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis.

Vizita e fundit e Kurtit në Maqedoninë e Veriut më 11 gusht shkaktoi reagimin e Presidentit dhe Qeverisë në Shkup, përveçse dukshëm shpërfaqi ndasitë etnike atje dhe i thelloi në njëfarë mënyre ndasitë edhe mes partive politike shqiptare.

Organizimi i ngjarjeve në Çair dhe Tetovë, dy komunat e banuara me shumicë shqiptare, u bë problem jo i vogël, pasi aty u nuk u këndua himni maqedonas dhe nuk u vendos flamuri shtetëror, por diku në turmë u valvit një flamur “Authoctonous”. Kurti qëndroi në Çair me ftesë të kryetarit Visar Ganiu, dhe në Tetovë me ftesë të dreut të kësaj komune, Bilall Kasami. Mori pjesë në përurimin e një rruge me emrin e veprimtarit Adem Demaçi në Çair, ndërsa në Tetovë mori pjesë në lëshimin në përdorim të një rruge në Malësinë e Tetovës.

Në fotografitë që Kurti dhe Kovaçevski i ndanë në rrjetin social, X, shihen bashkë vetëm në ato ku janë edhe të gjithë liderët e tjerë të rajonit, sikur edhe në Athinë. Ndonëse ishte i ulur krah kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, kryeministri i Kosovës nuk duket në një fotografi që ka në kuadër vetëm Kovaçevskin, Ramën dhe kryeministren serbe, Ana Bërnabiq. Në një tjetër, Kovaçevski shihet duke biseduar me presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel, ndërsa Kurti shihet i angazhuar në një komunikim me dikë tjetër aty.

Exit mobile version