Qeveria e Kosovës sponzorizoi një vizitë të delegacionit nga Presheva për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, qëllimi i të cilit ishte lobimi për përmirësimin e pozitës së tyre, duke shfrytëzuar momentumin e krijuar me dialogun Kosovë-Serbi.
Delegacioni i përbërë nga deputeti shqiptar në Kuvendin serb, Shaip Kamberi, Ardita Sinani e Ragmi Mustafi, Flora Ferati, Nagip Arifi e Ragmi Mustafën, për herë të parë pati mundësinë që t’i drejtohet Senatit amerikan dhe të raportojë për situatën në Luginë të Preshevës e për shqiptarët dhe pozitën e tyre.
Shkuarja e tyre u sinkronizua me dialogun në Bruksel. Kamberi njoftoi se po nisen drejt SHBA’së të dielën e kaluar kur Kurti ndodhej në Bruksel, një ditë para se ta pranonte propozimin europian. Prandaj, Kamberi vlerëson se faza e re në të cilën po hyn çështja e pakicave në Ballkan është mundësi e mirë për trajtimin simetrik të pozitave të tyre gjithandej.
Ai tha se qëllimi i vizitës është gjendja e vështirësuar e shqiptarëve në Serbi dhe përpjekja e tyre për realizimin e të drejtave të plota dhe krijimin e mundësive të barabarta për të gjithë.
“Barazia dhe të drejtat tona kolektive do të jenë temë e jona edhe në Washington e kërkesë e jona edhe ndaj Brukselit e kryeqendrave tjera europiane”, paralajmëroi Kamberi para se të niste delegacioni takimet me zyrtarët amerikanë.
Takimi i parë i delegacionit shqiptar të Luginës ishte me senatorët Joni Ernst dhe Gary Peters.
“Brifing për Luginën në Senatin e SHBA, organizuar bashkërisht nga zyret e Senatores Joni Ernst dhe Senatorit Gary Peters, bashkëkryesues të Grupit për çështje Shqiptare në Senat”, ka njoftuar Kamberi.
Pas takimeve, Kamberi doli me një deklaratë dhe tregoi se ka folur për të drejtat kolektive të shqiptarëve të Luginës dhe kërkesat që ia kanë adresuar senatorëve.
“Kemi kërkuar nga senatorët e nderuar që çështja e shqiptarëve të Luginës të jetë në agjendën e politikës së jashtme të SHBA-së, por njëkohësisht të jemi pjesë e dialogut Kosovë-Serbi në mënyrë që të trajtohen të gjitha çështjen problematike”.
Kamberi shprehi optimizëm që këto takime të japin efektet e tyre në dhënien e një perspektive tjetër për qytetarët e Luginës.
Ndalesa tjetër e Kamberit ishte me senatoren Ernst dhe kongresistët Ritchie Torres dhe Jim Himes.
“Sot takuam Senatoren Joni Ernst, bashkëkryesuese e Grupit për Çështje Shqiptare në Senat, poashtu edhe Kongresistët Ritchie Torres dhe Jim Himes, bashkëkryesuesë të Grupit për Çështje Shqiptare në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit të SHBA-ve”.
Kamberi tha se përpos zyrtarëve, u takua në Universitetin John Hopkins edhe me ekspertin për çështjet e Ballkanit, Edward Joseph, drejtor i Institutit për Politikë të Jashtme.
Në ditën pasuese, delegacioni u takua me kryetarin e Komitetit për politikë të jashtme, Senatorin nga New Jersey, Robert Menendez.
Takimin i fundit në Washington DC për shqiptarët e Luginës ishte një bisedë me Everett Price, përgjegjës për Ballkanin Perëndimor në Komisionin për Siguri e Bashkëpunim në Evropë / US Helsinki Commission.
Ndërkaq, në New York, në selinë e OKB-së, delegacioni u takua me Ndihmëssekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, James Turpin.
“Vizitën në SHBA e mbyllëm me të palodhshmin Joe Dio Guardin dhe anëtarët e Ligës qytetare”, tha Kamberi.
Pas vizitës, Kamberi ka paralajmëruar një konference për media për të njoftuar për ecurinë e angazhimit tonë politik.
Ditë më parë, Qeveria e Kosovës ndau 39,470.21 dollarë amerikanë për këtë vizitë.