Site icon PrishtinaPress

Vizita e kryediplomatit Cameron: Ofroi mbështetje për sigurinë dhe njohjet e reja të Kosovës

Sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron, ka thënë të enjten në Prishtinë se Britania e Madhe do ta ndihmojë Kosovën në aspiratat e saj duke përmendur këtu procesin e njohjeve të reja.

Cameron, ka zgjedhur Kosovën si shtetin e parë për të nisur vizitat zyrtare në vitin 2024.

Mbrëmjen e 3 janarit, Cameron u prit në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës ‘Adem Jashari’, nga homologia e tij kosovare, Donika Gërvalla Schwarz, për t’u takuar më pas me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti.

Gjatë një prononcimi për media me ministren e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, më 4 janar në Prishtinë, Cameron ka theksuar rëndësinë e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor duke thënë se Britania e Madhe po investon në këtë.

“Ne jetojmë në një botë me pasiguri të madhe, paqëndrueshmëri të madhe, një botë me konflikte të mëdha dhe është një kohë kur vendet, si Britania, duhet t’i mbështesin miqtë tanë, të punojnë ngushtë në aleancat tona të rëndësishme dhe të investojnë në zona që kanë qenë të paqëndrueshme, por që tani po tregojnë shenja të mëdha të stabilitetit dhe progresit. Dhe, kjo është arsyeja pse ne jemi këtu dhe kjo është arsyeja pse ne duam të vazhdojmë të punojmë me ju”, ka thënë ai.

Gjatë qëndrimit në Kosovë, Cameron është takuar edhe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, si dhe me kryeministrin Albin Kurti.

Diplomati britanik, po ashtu, ka thënë se shteti i tij do ta ndihmojë Kosovën në sferën e njohjeve.

“Jemi përkrahës të mëdhenj të pavarësisë, sovranitetit dhe të drejtës së Kosovës për t’u njohur nga të tjerët si një vend i plotë, sovran dhe anëtar i familjes së kombeve”.

“Ne jemi këtu për t’ju mbështetur, për t’ju promovuar, për t’ju ndihmuar në të gjitha mënyrat që mundemi”, ka deklaruar ai.

Cameron ka thënë se në Kosovë, vitin që shkoi, ishin 600 trupa britanike në kuadër të misionit të KFOR-it. Britania e Madhe, po ashtu, trajnon pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Gjatë kësaj konference, zëvendëskryeministrja e Kosovës, Donika Gërvalla, ka thënë se diplomatin britanik e ka njoftuar për sfidat, me të cilat është përballur Kosova gjatë vitit të kaluar, duke përmendur sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit kur një grup i armatosur serbësh sulmoi Policinë e Kosovës, duke vrarë një polic.

Gjatë përleshjeve që pasuan në Banjskë të Zveçanit, u vranë edhe tre sulmues serbë.

“Recetat e vjetra para sulmit të Rusisë kundër Ukrainës për zgjidhje të sfidave dhe konflikteve nuk funksionojnë më. Perëndimi ka qenë i suksesshëm atëherë kur ka pasur një qëndrim të qartë dhe të vendosur. Perëndimi ka qenë i fortë politikisht dhe ekonomikisht kur ka vepruar me vendosmëri dhe bazuar me parimet e tij të palëkundshme përballë një Moske agresive dhe jo me kompromise të dobëta dhe joparimore”, ka thënë Gërvalla më 4 janar në Prishtinë.

Ministrja Gërvalla e ka falënderuar Cameronin për mbështetjen e vazhdueshme që Britania po i jep Kosovës në fusha të ndryshme.

Pas sulmit në Banjskë më 24 shtator 2023, Britania e Madhe njoftoi për vendosjen e përkohshme të rreth 200 ushtarëve shtesë në KFOR, pas kërkesës nga NATO-ja. Këta 200 ushtarë i janë bashkuar kontingjentit britanik prej 400 trupash në vend.

Kur Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia më 17 Shkurt 2008, Mbretëria e Bashkuar u bë një nga vendet e para që e njohu zyrtarisht Kosovën sovrane më 18 shkurt të vitit 2008.

David Cameron u emërua sekretar i Shtetit për Çështjet e Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit më 13 nëntor 2023.

Ai ka qenë kryeministër i Britanisë së Madhe nga maji i vitit 2010 deri në korrik të vitit 2016.

Exit mobile version