I dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak ka vizituar sot Kosovën së bashku me dy këshilltarë, njëri i presidenti francez, Emanuel Macron dhe tjetri i kancelarit gjerman, Olaf Scholz, shkruan Prishtinapress.
Pas takimit të mbajtur me kryeministrin Albin Kurti së bashku me këshilltarët e Gjermanisë dhe Francës për këtë dialog, Jenns Plettner dhe Emmanuel Beaune, ai para mediave tha se patën një diskutim të rëndësishëm.
“Ishte një diskutim i thellë dhe i rëndësishëm. Besoj e kuptoni se nuk mund të japim detaje, sepse do të kemi diskutim të njëjtë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq”, tha Lajçak.
Analisti politik Dorajet Imeri, tha se ardhja e të dërguarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, është në frymën e përpjekjeve të tij për të vazhduar me ecurinë e dialogut.
Imeri në një prononcim për Prishtinapress ka thënë se ardhjen e tij së bashku me këshilltarët e liderëve politikë të Gjermanisë dhe Francës e sheh si dëshmi se BE është e interesuar për paqe në Ballkan.
“Ardhja e të dërguarit të BE-se për dialogun, z. , Lajçak, është në frymën e përpjekjeve të tij për të vazhduar me ecurinë e dialogut, të cilin ai e sheh si më të mundshëm tash pas arritjes se disa marrëveshjeve paraprake në javët e kaluara. Ardhja e tij bashkë me këshilltaret e liderëve politike te Gjermanisë e të Francës, janë dëshmia më e mirë se BE si tërësi dhe shtetet e saj kryesore në veçanti, janë të interesuar për paqe e stabilitet në Ballkan”, tha Imeri për Prishtinapress.
Ndërsa para pak ditësh ka filluar zbatimi i marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë për shfuqizimin e dokumenteve hyrëse-dalëse, por se a do të ketë marrëveshje përfundimtare këtë vit, Imeri tha se marrëveshja finale është e vështirë të pritet këtë vit.
“Marrëveshje finale është vështirë e pritshme të ketë në këtë vit, por mund të ketë hapa të tjerë së paku drejtë përafrimit të saj”, përfundoi Imeri.
Kujtojmë se pas takimit në Prishtinë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, diplomatët evropianë do të takohen në Beograd me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq./Prishtinapress/