Site icon PrishtinaPress

Vitia: Rastet që po vijnë në spital me COVID-19 janë gjithnjë e më të rënda

Mnistri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se janë duke e përcjell me dhimbje të madhe dhe me ndjenjë të përgjegjësisë çdo shuarje jete në këtë kohë pandemie.

Ai përmes një postimi në Facebook ka thënë se rastet e infektimit që po paraqiten në spital, janë gjithnjë e më të rënda.

“Sot u larguan prej nesh edhe dy bashkëqytetarë në betejën kundër COVID-19. Në botë, për shkak të pandemisë po flitet për të prekurit dhe rastet e fatalitetit vetëm me shifra. Por njerëzit janë njerëz e jo shifra. Përndryshe asgjë nuk ka rëndësi nga kultura dhe shtet-ndërtimi afatgjatë. Ndaj dhe merren masa institucionale. Masat, edhe pse duken se janë strikte ato kanë vetëm një qëllim: mos ta lejojmë shndërrimin e njeriut në shifër. Ne jemi një vend e një Republikë. Këtu njerëzit janë të gjithë tanët”, ka thënë Vitia.

Ai u bëri thirrje qytetarëve se duhet ta parandalojnë virusin.

“Çdo disiplinim i veprimtarive ekonomike dhe shoqërore duhet ta marrë një vlerë, shpëtimin e jetës. Ky virus na i ka bërë një gjë të qartë: nuk duhet të hyjmë në ciklin e sëmundjes, nuk duhet të hyjmë në lojën e fatit mes shërimit dhe fatalitetit”.

“Vëmendje: Rastet që po vijnë në spital janë gjithnjë e më të rënda. Ndaj duhet të mendojmë parandalimin me çdo kusht. ME ÇDO KUSHT. Mes të qenit i shëndetshëm dhe të qenit i prekur ndarja është absolute. Afatgjatësia e masave tona është krejt relative. Jeta është absolute. Për jetën e secilit të punojmë të gjithë”.

“Si Ministri e Shëndetësisë, si Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, dhe si personel shëndetësor, po përpiqemi me çka mundemi. Iu adresoj familjeve të gjithë ngushëllimet tona për humbjen e të dashurve”, ka shkruar Vitia në rrjetin social Facebook.

Exit mobile version